Kosova

Kurti në konferencë me Von der Leyen: Serbia – BE’së donacionet, Rusisë armët


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka thënë se Serbia po merr donacione nga BE-ja, por vazhdon të militarizohet nga Rusia e Kina.

“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë në të cilën me njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, militarizohet nga Rusia e Kina”, tha Kurti.

Kurti ka potencuar se e ka njoftuar Leyen edhe për situatën aktuale në vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, përveç se po e zbatojmë një marrveshjen e vjetër, fatkeqësisht Serbia reagoj me forcë duke grumbulluar trupa tek vija kufitare duke përfshirë tanke dhe automjete luftarake e avion luftarak të prodhimit rus”, shtoi ai.

Ai theksoi po ashtu se sulmet në Zubin Potok janë pasojë e deklarata luftënxitëse të Vuçiç-it.

“Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok e Zveçan pasi këto sulme erdhën pas deklaratave luftënxitëse të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve luftarake në kufi me Kosovën”, tha ai.

Kurti pohoi se me Von der Leyen, “kemi biseduar edhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, ku siç dihet Kosova është e fundit në rajon dhe faktin se duhet të përgatitemi për aplikim për anëtarësim në mënyrë që të marrim edhe statusin e vendit kandidat si dhe të vendimit të vonuar të BE-së për liberalizimin e vizave”.

“Biseduam për një sërë çështjesh, por fokusi ishte për projektet të cilët i kemi në përgatitje për planin e investimeve ekonomike e njoftova zonjën presidente se në kuadër të këtij plani investimeve për gjashtë vitet e ardhshme”.

Sipas tij, “ne tashmë kemi identifikuar mbi 100 projekte që shtrihen në 13 sektor të ndryshëm dhe që arrin një buxhet prej 2.7 miliardë euro, këto zhvillime do të ndihmojnë për krijim e një baze të mirë për zhvillim”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen

Kurti: Serbia e ka refuzuar dialogun dhe marrëveshjen e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Serbinë për refuzimin që ia ka bërë një propozimi të KFOR-it për shtensionimin e situatës në veri.

“Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi tek unë komandanti i përgjithshëm i KFOR-it dhe i cili pak a shumë dha një propozim që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale deri në qetësim të situatës nga pjesëtarët e KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak e Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte”, potencoi Kurti.

I pari i Qeverisë së Kosovës, tha se “në parim e kemi pranuar këtë”.

“Sa i përket orareve të tërheqjeve e realizimit teknik e logjistik të dakordimit të tillë kemi mbetur të dakordohemi edhe me Policinë e Kosovës. Në dakordimin në parim që ia kemi dhëne, jemi konsultuar paraprakisht me Policinë e Kosovës. Ne kemi qenë dakord, por Serbia e ka refuzuar këtë”.

“Në javën e kaluar Serbia ka refuzuar dialogun në Bruksel duke vënë kushte, e këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i”.

“Ne i kemi pranuar të dyja. Kemi qenë shumë gjenerozë dhe të gatshëm për takim për bisedime në Bruksel e në parim jemi dakorduar për propozimin e komandantit të KFOR-it, që pas takimit me neve ka shkuar në takim me katër kryetarët e komunave në veri dhe ata duket se pas konsultimit me kreun e fqinjit tonë verior, kanë refuzuar”.

Ai ka thënë se “është për të ardhur keq sepse kjo ka ndodhur pas tankeve e MIG-ut në Jarinjë dhe pas djegies së qendrës në Zubin-Potok e bombave në Zveçan. Ne kemi pranuar, por Serbia ka refuzuar”, ka deklaruar ai.

Von der Leyen: Dialogu, rruga e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për situatën në veri të Kosovës, duke shtuar se Kosova e Serbia duhet të zhvillojnë dialog konstruktiv.

“Është shumë jetike të bëhet normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi për te ecur përpara në integrimin evropian, jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale është shumë e rëndësishme që të shtensionohet situata të kthehemi në tryezën e negociatave për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, zgjidhja është dialogu”, është shprehur ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja ka folur edhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Ne dëshirojmë një Kosovë dhe një Ballkan Perëndimor i cili është pjesë e Evropës për këtë po punojmë është një rrugë e gjatë kjo që kemi kaluar, ja kemi borxh fëmijëve pra të ardhmes së Kosovës që të shohim këtë vend në Bashkimi Evropian”.

Ajo madje ka treguar edhe për disa projekte që Bashkimi Evropian e mbështet Kosovën.

“Mbështetja për autostradën e paqes që lidh Prishtinën me Nishin është projekt i rëndësishëm simbolik, ne e mbështesim punimet për rrugën hekurudhore të linjës 10 dhe po ashtu impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë”.

Presidentja, Von der Leyen, gjatë ditës së mërkure është takuar edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku kjo e fundit ka kërkuar nga ajo që i gjithë faktori ndërkombëtar të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.

“Kosova vetëm po e përmbush një aspekt ligjor dhe se nuk ka asnjë tendencë nga pala kosovare për ta tensionuar situatën e sigurisë. Përkundrazi, një tendencë e tillë, po shpërfaqet hapur nga pala serbe, e cila e ndikuar edhe nga qarqet ruse po përpiqet të shkaktojë destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë Osmani thuhet në komunikatën e Zyrës për media të presidentes.

Osmani në takim me Von der Leyen ka diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët duke shtuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Presidentja e Komisionit Evropian në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Von der Leyen, pas Kosovës do t’i vazhdojë vizitat në Mal të Zi dhe Serbi.

Turin e saj ballkanik Presidentja e Komisionit Evropian do e përfundojë të enjten në Bosnjës dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore