Kosova

Mbrojtja e te akuzuarve nga Specialja i kushton Kosovës miliona


Krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë

Që nga tetori i vitit të kaluar deri në muajin korrik të këtij viti, avokatët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë janë paguar mbi 4 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

Avokatja më e paguar është Rahini Alagendra, e cila mbron ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ajo për nëntë muaj është paguar 790 mijë euro nga kuleta e Shtetit.

Vetëm në muajin shkurt në konton e saj janë transferuar 95 mijë euro.

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rice, është paguar deri më tani afër 730 mijë euro, ndërkaq në mars edhe prill të këtij viti me nga 85 mijë euro.

Ndërkaq përfaqësuesi ligjor i Rexhep Selimit, David Young, u pagua 724 mijë euro.

Në muajt prill, maj dhe qershor Young mori nga 91 mijë euro.

661 mijë euro u pagua avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pagesat më të larta për avokatin Pierre Prosper, u kryen në muajt maj, qershor dhe korrik nga mbi 90 mijë euro.

Ndryshe nga të akuzuarit e tjerë, ish nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka angazhuar dy avokat mbrojtës.

Bat Mertins është paguar mbi 33 mijë euro, ndërkaq Toby Cadman gati 550 mijë euro.

Avokati i Sali Mustafës është paguar mbi 545 mijë euro, derisa vetëm në muajin prill mbi 75 mijë euro.

Më së paku është paguar avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson.

Ky i fundit është paguar vetëm 379 mijë euro. Gjatë muajve maj, qershor dhe korrik nga 95 mijë euro.

Ndryshe me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë të datës 24 korrik 2020, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se buxheti për mbështetje financiare për personat e akuzuar potencial është përcaktuar me ligj, ku janë paraparë mjete në vlerë prej 17 milionë euro.

Sipas Ligjit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Por, pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti do të paguajë edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara.

Kjo është e rregulluar me një udhëzim të veçantë administrativ të datës 23 korrik 2020.

“Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë”, përcaktohet në udhëzim.

Në këtë kategori përfshihen bashkëshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.

Në kuadër të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është përfshirë edhe realizimi i së drejtës për kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore