Lajme

Von der Leyen: BE-ja duhet të marrë “vullnet politik” për të ndërtuar ushtrinë e vet


Ursula von der Leyen gjatë fjalimit të saj të përvitshëm në parlamentin Evropian në Strasburg, 15 shtator, 2021

“Bashkimi Evropian duhet të marrë mësime nga tërheqja e papritur e misionit të udhëhequr nga SHBA-të në Afganistan dhe të marrë vullnetin politik për të krijuar forcën e vet ushtarake për t’u vendosur në krizat e ardhshme”.

Kështu u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën e 15 shtatorit, gjatë fjalimit të saj të përvitshëm në parlamentin Evropian në Strasburg.

Sipas Von der Leyen, si një ish-ministre gjermane e Mbrojtjes, tha se tërheqja e misionit të udhëhequr nga SHBA në Afganistan dhe rënia e mëvonshme e administratës së Presidentit Ashraf Ghani, ngriti pyetje shqetësuese.

Ajo tha se kishte një problem “thelbësor” në kryeqytetet e BE-së. “Ju mund të keni forcat më të përparuara në botë – por nëse nuk jeni gati t’i përdorni ato – cila është vlera?”. “Ajo që na ka penguar deri më tani nuk është vetëm një mungesë e kapaciteteve – është mungesa e vullnetit politik”.

Mungesa e investimeve në mbrojtje nga qeveritë e BE-së dhe shqetësimet rreth rrezikut të minimit të NATO-s – të mbajtura në veçanti nga vendet anëtare të BE-së – kanë qenë ndër pengesat kryesore për krijimin e një krahu të bashkuar ushtarak evropian. Shpenzimet e përgjithshme të qeverisë në 27 shtetet anëtare të BE-së për mbrojtjen ishin 1.2% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), në vitin 2019 krahasuar me 3.4% në SHBA.

Parlamenti Evropian në Strasburg, 15 shtator

Von der Leyen më tej tha se po punonte me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në nxjerrjen e një “deklarate të re” mbi marrëdhëniet BE-NATO deri në fund të vitit. Gjashtë shtete anëtare të BE-së nuk janë në aleancën ushtarake – Austria, Qipro, Finlanda, Irlanda, Malta dhe Suedia.

Presidentja e KE-së theksoi se për të eliminuar krizat, forca ushtarake e BE-së duhet të veprojë në mënyrë të pavarur si nga OKB-ja ashtu edhe nga NATO.

Ideja e mbrojtjes së përbashkët – e sulmuar nga disa kritikë të BE-së si dëshmi e ndërtimit të kombit – ka një histori të gjatë dhe të torturuar.

Dy grupe beteje të BE-së me 1 mijë e 500 trupa – të cilat supozohet se do të mbushen me rotacion nga shtetet anëtare – u krijuan në vitin 2007, por ato nuk u vendosën kurrë, pjesërisht për shkak të mungesës së ndihmës.

Ndërkaq, Von der Leyen tha se shërbimet e inteligjencës të BE-së dhe agjencitë e tjera kishin nevojë për të shkëmbyer informacion.

Flamujt e vendeve anëtare të NATO-s gjatë një samiti të NATO-s në Bruksel.

Ajo gjithashtu sugjeroi që për të ndërtuar sektorin e mbrojtjes të BE -së dhe për të siguruar që pajisjet e përdorura nga ushtritë evropiane të ishin “të ndërveprueshme”, TVSH-ja mund të hiqet kur blihet nga tregtarët vendas të armëve.

Një samit udhëheqës kushtuar mbrojtjes evropiane do të thirret nga Von der Leyen dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Vit që përkon me marrjen e presidencës së BE-së nga Franca. “Është koha që Evropa të rritet në nivelin tjetër”, ravijëzoi Von der Leyen.

Ministrja aktuale e mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, e mbështeti nismën e Von der Leyen. Sipas saj mbrojtja e vërtetë e BE-së varet nga vullneti politik i shteteve anëtare. “Kjo është arsyeja pse Gjermania dhe Franca duhet të udhëheqin”, theksoi Kramp-Karrenbauer.

Ndërsa komentet në përgjithësi u pritën mirë në dhomë, Martin Schwirdeman, president i grupit të Majtë në parlament kritikoi komisionin për “thirrje për më shumë zgjidhje armatimi dhe ushtarake” në vend se të drejtonte fonde për të lehtësuar vuajtjet e më të varfërve.

Disa qeveri të BE-së gjithashtu shprehën dyshime mbi deklaratën e Presidentes. “Evropa do të adresojë dobësitë e saj mbrojtëse me një deklaratë, një samit, një agjenci dhe heqjen dorë nga TVSH-ja”, u ankua një diplomat. “Vizion i mishëruar nga teknokracia”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bisedon me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë një samiti të BE-së në ndërtesën e Këshillit Evropian në Bruksel, 25 qershor 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore