Lajme

Gjermani/ Presion kardinalit për publikimin e raportit mbi abuzimet seksuale


Shteti gjerman i ka bërë thirrje kardinalit të lejojë publikimin e një raporti mbi abuzimin seksual të të miturëve.

Kardinali, Rainer Maria Woelki, është një klerik konservator dhe kryepeshkop i Këlnit. Ai nuk ka lejuar me muaj me radhë botimin e një raporti mbi abuzimet seksuale brenda dioqezës së tij.

Woelki, njihet për kundërshtimet që iu ka bërë reformave për Kishën Katolike.

Në nëntor,  ai iu drejtua kreut të Kishës Katolike për ndihmë, duke i kërkuar Papa Françeskut të merrte përsipër hetimet.

Ky pretendohet të jetë skandali më i madh i abuzimit seksual në Gjermani.

Këshilli i dioqezës së Këlnit, ka thënë se Kardinali Woelki, ka një detyrim moral të lejojë botimin.

Sipas këshillit të Këlnit, kryepeshkopi ka “dështuar plotësisht si autoritet moral”.

“Mos prisni derisa Roma të vendosë një ekspert ligjor t’ju thotë se çfarë keni bërë gabim. Ata që janë përgjegjës më në fund duhet të marrin dënimin. Na duhet qartësi tani ose nuk kemi asnjë shans të dalim nga ky mjerim”, tha Tim Kurzbach, kreu i këshillit, në një deklaratë.

Viktimat kanë shprehur zemërim për pengesat e Woelki-t.

Kardinali ka justifikuar qëndrimin e tij duke cituar të drejtën e autorëve të pretenduar për privatësi.

Hetimi u krye nga një firmë ligjore e Mynihut, por Woelki ka vënë në dyshim pavarësinë e studiuesve.

Një studim i botuar në 2018-ën, tregoi se 1 mijë e 600 klerikë kishin kryer një formë sulmi seksual kundër 3 mijë e 600 të miturve, kryesisht djem.

Autorët e raportit theksuan se numri i viktimave ishte më i lartë pasi shumë njerëz zgjedhin të mos e raportojnë abuzimin.

Kardinali Reinhard Marx, një reformator i shquar, kërkoi falje në emër të kishës katolike gjermane për abuzimin e kryer nga kleri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore