Shqipëria

Sa u kushtuan vaksinat shqiptarëve?


Një e moshuar në Shqipëri, duke marrë dozën CoronaVac

Në një hulumtim të fundit nga Open Data Albania, kontratat dhe administrimi  i vaksinave anti-COVID – periudha shtator 2020-2021 – shqiptarëve u ka kushtuar plot 3.4 miliardë lekë ose 3.3 miliardë dollarë.

Deri më tani, Shqipëria ka kontraktuar një total prej 2.9 milionë dozash, nga të cilat rreth 2 milionë kanë mbërritur tashmë.

Më tej, në raport jepen të dhënat se sa ka qenë kostoja financiare për secilën kompani të kontraktuar vaksinimi.

Marrëveshja me AstraZeneca-n, buxhetit të shtetit i ka kushtuar 430 milionë lekë.

Dhjetë ditë para përfundimit të kontratës, vetëm 320 mijë kanë mbërritur në Shqipëri deri më 30 gusht.

Në total, sipas marrëveshjes, pritet të vijnë edhe 794 mijë sasi vaksinash.

Ndërsa, kontraktimi me Pfizer, ka pasur një kosto rreth 732 milionë lekë. Nga dy kontratat  janar dhe qershor 2021, nga 552 mijë doza kanë ardhur 500 mijë doza deri më 6 shtator.

Sa i përket marrëveshjes së mbyllur me kompaninë Sputnik V, buxhetit të shtetit i kushtoi mbi 59 milionë, për 50 mijë doza – të gjitha të mbërritura në Shqipëri.

Marrëveshja me kinezët e Sinovac, me të cilët është edhe partia më e madhe e dozave të kontraktuara, ka kushtuar 22 milionë lekë – sipas një Akti Normativ nr. 9 dhe 22. Nga 1 milion vaksina, kanë mbërritur të gjitha në vendin tonë.

Një sasi tjetër prej 200 mijë dozash është arritur përmes donacioneve nga Bashkimi Evropian dhe shtete mike me Shqipërinë.

Imunizimi i popullsisë

Deri më 1 shtator 2021 janë aplikuar 1 milionë e 472 mijë e 360 doza. Kjo do të thotë se është imunizuar vetëm 22% e popullsisë.

Për sa i përket procesit të vaksinimit të popullsisë në rritje, Qeveria duhet të administrojë në total 4.4 milionë vaksina.

Në emër të Qeverisë Shqiptare janë dy ministri të autorizuara (mars 2021), si negociatore për bisedime me prodhuesit, distributorët e autorizuar apo qeveri të huaja.

Njëri është ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Të gjitha marrëveshjet e hartuara dhe nënshkruara nga Qeveria gjatë vitit 2021, janë marrëveshje për të cilat nuk është publikuar teksti duke i konsideruar konfidenciale për shkak të sekretit tregtar.

Sasia e parë e vaksinave në Shqipëri mbërriti më 12 janar 2021 – 975 doza BioNTech, Pfizer.

Të vaksinuar zyrtarisht

Gjatë javës së parë të shtatorit, ritmi ka qenë me rreth 13 mijë vaksinime ditore.

Përtej vaksinimit të mirë në Shqipëri, javët e fundit është parë një rritje e infektimeve me COVID-19.

Mesatarja ditore e rasteve të regjistruara varion në mbi 800. Ndërkohë aktivë në të gjithë vendin janë 12 mijë qytetarë.

Për këtë shkak, të shtunën e 4 shtatorit, u riaktivizua spitali COVID 3 për të trajtuar të sëmurët që kanë nevojë për shërbim spitalor.

Të shtruar në spitalin infektiv janë 132 pacientë, ku 14 prej tyre janë në gjendje të rënduar.

Nga instancat e larta, bëhet çdo ditë thirrje për t’u vaksinuar. Një opsion po shihet edhe për vaksinim të detyruar në disa sektorë jetikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore