Lajme

Autoritetet britanike akuzojnë Iranin për sulmin e cisternës në Oman


Autoritetet britanike, të dielën e 1 gushtit kanë akuzuar Iranin për sulmin mbi një cisternë të naftës të menaxhuar nga Izraeli në brigjet e Omanit më 29 korrik, ku mbeti i vrarë një britanik dhe një rumun.

“Mbretëria e Bashkuar dënon sulmin e paligjshëm dhe të rëndë të kryer në një anije tregtare jashtë brigjeve të Omanit, i cili vrau një britanik dhe një shtetas rumun”, tha sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab.

Ai shtoi gjithashtu se besojnë që ky sulm ishte i qëllimshëm, i shënjestruar dhe një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar nga Irani.

Sipas tij, vlerësimet britanike kishin arritur në përfundimin se ishte “shumë e mundshme” që Irani të sulmonte cisternën duke përdorur një ose më shumë dronë.

Akuzat nuk kanë munguar dhe nga autoritetet izraelite.

Sipas tyre, Irani qëndron pas sulmi të Merceri-t. Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, të premten e 30 korrikut fajësoi “terrorizmin iranian”.

“Irani nuk është vetëm një problem izraelit”, tha Lapid në një deklaratë, duke shtuar se”bota nuk duhet të heshtë”.

MV Mercer Street operohet nga kompania me seli në Londër, “Zodiac Maritime”. Anija gjendej në brigjet e Oman-it në Detin Arabik kur incidenti ndodhi të enjten.

Kompania, e cila i përket manjatit izraelit të anijeve, Eyal Ofer, tha se po punonte për të përcaktuar atë që kishte ndodhur.

Megjithatë, detajet e sulmit ndaj cisternës me flamur liberian, në pronësi të Japonisë mbeten të paqarta. Irani ende nuk ka komentuar mbi akuzat.

Incidenti

Incidenti duket të jetë një përshkallëzim serioz i tensioneve në rajon, dhe disa raporte sugjerojnë se ishte përfshirë një dron.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se po përpiqej gjithashtu të “vërtetonte urgjentisht faktet”.

“Mendimet tona janë me të afërmit e një shtetasi britanik i cili ka vdekur pas një incidenti në një cisternë në brigjet e Omanit”, thuhej në deklaratë.

Ai shtoi se anijet “duhet të lejohen të lundrojnë lirshëm në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Zodiac Maritime

“Me trishtim të thellë, ne e kuptojmë incidentin në bordin e rrugës M/T Mercer më 29 korrik 2021, që ka rezultuar në vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit në bord: një shtetas rumun dhe një shtetas britanik. Ne nuk jemi në dijeni të dëmtimit të ndonjë personeli tjetër”, tha kompania në një deklaratë.

Nga kompania, gjithashtu, u shprehën se një hetim mbi incidentin ka filluar dhe po punon ngushtë me Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) dhe autoritetet e tjera përkatëse për të zbuluar autorët.

Në muajt e fundit, shumë sulme ndaj anijeve tregtare janë raportuar dhe lidhen me tensionin e vazhdueshëm të rritur midis Izraelit dhe Iranit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore