Kosova

27 zyrtarë të Policisë së Kosovës të arrestuar sivjet


Ilustrim

“27 zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar, ndërkaq 65 të tjerë janë suspenduar”.

Kështu ka thënë kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Është rekomanduar suspendimi i 65 zyrtarëve të policisë, dhe transferimi i 6 zyrtareve. Janë arrestuar 27 zyrtarë policorë për vepra të ndryshme, kryesisht për veprat “ keqpërdorim i detyrës zyrtare,“ keqtrajtim gjatë ushtrimit te detyrës”, tha Hodaj.

“Janë pranuar dhe trajtuar 923 ankesa tw qytetarëve ndaj zyrtarëve të policisë, prej tyre 358 me elemente të veprave penale”.

Sipas tij, “ka rritje të numrit të ankesave në lidhje me zyrtarët e suspenduar dhe arrestuar në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”.

Ndërkaq, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se për efektivët e policisë duhet një verifikim përsa i përket denimeve penale në të kaluarën, dhe se duhet një mbikëqyrje sistematike. “Kjo bëhet duke i rritë mekanizmat mbikëqyrës dhe ata të hetimit në kuadër të institucioneve përgjegjëse”.

Që këto raste të minohen ose të mos ndodhin fare, Riza Shala vlerëson se duhet hartuar një udhëzim administrativ, “që i obligon zyrtarët policorë që të bartin Body Camera kur janë në orarin zyrtarë të punës, ndërsa jashtë orarit të punës duhet të mbledhin informacione për çdo zyrtar nga  institucionet relevante. Kjo të bëhet pa dallim grade dhe periudha e raportimit të jetë çdo 12 muaj”.

Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Nuredin Ibishi, këshillon që të bëhet “hetim më i detajuar i së kaluarës  për kadetët e rinj. Por nëse rritet numri i rasteve, duhet trajnim shtesë, por edhe të vërtetohet patologjia individuale e secilit dhe e kaluara kriminogjene”.

Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore