Kosova

Clint Williamson: Faji për krime lufte duhet të individualizohet, jo të kolektivizohet


Clint Williamson, ish-kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale, i ngarkuar me hetimetet për pretendimet e raportit të Dick Marty-t për dyshimet e pretenduara për krime të kryera nga UÇK-ja, dhe ish-prokuror i Gjykatës Speciale të EULEX-it, ka folur për “Voice of America” për gjykimet që po ndodhin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në pyetjen e parë se sa ka peshë dënimi me burgim të përjetshëm i Ratko Mlladiç, për masakrën e Srebrenicës, Clint Williamson tha se:

“Është e domosdoshmë që të gjitha palët ta kenë ndjenjën se ata, të cilët janë përgjegjës për krimet më të rënda, janë dënuar. Është një proces që duhet të shkojë drejt individualizimit të fajit. Edhe pse ekziston një tendencë te anëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike që ta zhvendosin fajin te njëri tjetri”.

“Komuniteti ndërkombëtar është munduar ta ndryshojë këtë tendencë– ta vendos përqendrimin tek individët që kanë kryer krime lufte. Ka shumë njerëz që kanë kryer krime – por ka edhe miliona të tjerë që s’kanë gjak në duart e tyre”.

Ai më pas për “Voice of America” tha se mendimi i tij është që narrativa e krimit si kolektiv dhe jo individual, është në interesin e disa elitave politike.

“Duket sikur është në interesin e tyre që këtë çështje ta kolektivizojnë – e jo ta individualizojnë. Ata po kërkojnë opinion publik për t’i mbështetur. Dhe, në vend se të jetë aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, bëhet një aktakuzë ndaj të gjithë shqiptarëve kosovarë që kanë qenë të asocuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe luftën që ata e konsideorjnë çlirimtare”.

“Mendoj se ka motive të fshehura prapa ndërtimit të kësaj narrative, sepse nuk është thjesht të bëhet gjëja e duhur. Është në interesin e këtyre figurave të shumta politike, ose për shkak se janë drejtëpërdrejtë të përfshirë ose sepse të lidhur me tjerë që kanë qenë të përfshirë, arsyeja se pse faji kolektivizohet, në vend se të individualizohet”, ka thënë Williamson.

Pyetur se cila është përshtypja që ai ka për punën e Gjykatës Speciale të Kosovës ai tha se ata po bëjnë punë të mirë, dhe se Këshilli i Specializuar i Kosovës po përpiqet të ecë sa më shpejtë që të jetë e mundur për ti përfunduar çështjet me të cilat po mirret.

“Provat po zhduken ose po vjetrohen, dhe dëshmitarët po bëhen gjithnjë e më të vështirë për tu gjetur. Disa prej tyre, për fat të keq, humbin kthjelltësinë, disa vdesin. Pra, sa më shumë që kalon koha, aq më e vështirë është të përpunohet çështja”.

Në lidhje me aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së që janë në paraburgim në Hagë, ai tha se “kishte shumë probleme në çështjet kundër udhëheqësve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Unë jam përballur me këtë pyetje kur pata bërë një deklaratë mbi faktin që Grupi i Hetimit Special në vitin 2014 kishte gjetur shume raste të frikësimit në rastet e trajtuara nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, si dhe Misionet e Bashkimit Evropian dhe ato të Kombeve të Bashkuara, ndaj dëshmitarëve, për ndërhyrjen politike nga ana e zyrtarëve kryesorë qeveritarë, dhe për krijimin e një atmosfere në media që minonte mundësinë e gjykimeve të drejta në këto raste.”

“Kur krijuam Grupin e Posaçëm të Hetimit, u përpoqëm të ndërmarrim një sërë hapash për të lehtësuar këto probleme. Unë mendoj se e kemi arritur atë në hetimin tonë fillestar. Jam i sigurt që Këshilli i Specializuar i Kosovës ka marrë masa shtesë për të mbrojtur integritetin e punës së tij”, ka thënë Williamson.

Ai ka vazhduar më pas të flasë edhe për epilogun që pritet nga gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, dhe është shprehur se çfarëdo që do të jetë rezultati, dikush do të mbetet i pakënaqur.

“Shumë nga pala shqiptare e Kosovës do të zhgënjehen. Ata do të komentojne mbi vendimet se janë të politizuara, antishqiptare – ndërsa nëse vendimet përcaktohen ndryshe, mesazhe të ngjashme do të dërgohen nga pala serbe. Kjo është e përbashkët për të gjitha këto gjykata.”

Ai ka thënë se kësi soji është vetë natyra e vendimeve gjyqësore, dhe se nuk ka vendime që do ti kënaqte të gjitha palët, dhe as në këtë rast nuk pret ndonjë gjë më ndryshe.

Williamson gjithashtu ka komentuar mbi dialogun dhe mundësinë për normalizimin e marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë do të doja që serbët dhe shqiptarët e Kosovës të kuptonin se është në interesin e tyre të përbashkët të zgjidhin mosmarrëveshjet midis tyre. Unë jam i vetëdijshëm se hendeku midis tyre është mjaft i thellë. Kjo nuk është e lehtë për tu zgjidhur – sepse përndryshe ato nuk do të kishin ekzistuar për një kohë të gjatë”.

Williamson gjithashtu është pyetur edhe për paralajmërimin nga qeveria e Kosovës për padinë ndaj Serbisë për gjenocid, dhe se kjo padi a do ti komplikonte edhe më tej marrdhëniet apo do të kontribuonte për zgjidhjen e saj.

“Të jeni të sigurt se krime të tmerrshme janë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1998 dhe 1999 kur erdha për të hetuar. Unë isha aty menjëherë pasi forcat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999 dhe menaxhova zhvarrosjet e varreve masive në të cilat u gjetën trupat e gati dhjetë mijë shqiptarëve të Kosovës që u vranë. Askush nuk mund ta mohojë që këto gjëra kanë ndodhur – i kam parë me sytë e mi.”

Por ai më tutje ka thënë se as krimet kundër serbëve nuk duhet të mohohen, edhe pse fakti qëndron se ka pasur më shumë shqiptarë se sa serb të vrarë, dhe se “kjo nuk e zvogëlon vuajtjen me të ciën përballen viktimat serbe”.

“Pra, pavarësisht nëse ju i quani krimet kundër shqiptarëve të Kosovës gjenocid, apo siç e kemi përkufizuar atë para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë – një krim kundër njerëzimit, i cili mendoj se është një përshkrim më i përshtatshëm, ai është pa dyshim një krim i tmerrshëm”.

“Fakti është se mijëra njerëz u vranë dhe qindra mijëra u detyruan të linin shtëpitë e tyre. Ndodhën gjëra të tmerrshme. Pas kësaj, gjëra të tmerrshme u ndodhën serbëve që mbetën në Kosovë. Qasja e duhur është të hetohen krimet e kryera nga të gjitha palët dhe të dënojë ata që janë përgjegjës për kryerjen e tyre”, është përgjigjur Williamson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore