Kosova

Kosovë: Tekstet shkollore e nevojshme të rishikohen në tërësi


Të premtën zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna në një konferencë për media ka thënë se do të ketë botime të reja të teksteve për klasat 3, 8 dhe 12.

“Jemi në proces të botimit të teksteve për klasat 3, 8 dhe 12 të cilat në muajin shtator pritet të jenë në duart nxënësve tanë”, tha Maloku-Bërdyna.

Ajo thotë se “shpresojmë që nga shtatori, procesi mësimor të fillojë në kushte normale me prani fizike”.

Në një prononcim për Albanian Post, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard thotë se tekste shkollorë kanë nevojë të përditësohen dhe atë përmes një konkursi të ri që do të garantonte një cilësi më të mirë të teksteve që mbi të gjitha janë në përputhje me kurrikulën.

“EdGuard, cilëson që një konkurrencë më e rritur mes shtëpive botuese përmes rishikimit të teksteve në baza vjetore do të mund të nxiste edhe në cilësi me të madhe në prodhim të tekstit shkollor”, tha Qehaja për Albanian Post.

Sipas tij, është e rëndësishme që të kenë përshtatje tekstet shkollore.

“E rëndësishme që përmes rishikimit të ligjit për tekste shkollore të konsiderohet seriozisht përkthimi dhe përshtatja e teksteve shkollore nga shtëpi botuese prestigjioze”.

Qehaja theksoi se tekste më të mira mësimore, do të jenë nxitëse për një cilësi më të mirë për mësimdhënësit.

“Mirëpo në të njëjtën kohë në mësimdhënie teksti mes shumë tjerash paraqet vetëm një mjet pedagogjik– reforma për arsim më të mirë është tërësi e intervenimeve jo e kufizuar në një komponentë”.

Ndërsa, Jeton Brajshori, ligjërues i sociologjisë në kolegjin AAB, ka thënë për Albanian Post se është e nevojshme të rishikohen të gjitha tekstet shkollore, e jo vetëm të disa klasave.

“Mendoj që ministria është ngutur paksa vetëm me tekstet e këtyre klasave. Sistemi i arsimit fillor dhe i mesëm ka nevojë që të rishikohet në tërsi e sidomos të gjitha tekstet shkollore duhet t’u nënshtrohen një llupe profesionale”, tha Brajshori.

Ai deklaron se këto libra krijojnë vështirësi edhe në aspektin fizik të fëmijëve.

“Personalisht si prind më duhet që fëmijën tim të e dergoj dhe të e marrë nga shkolla me veturë, shkaku i çantës që peshon shumë. Në këtë mënyrë çanta  peshë të mashe dëmton boshtin kurrizor, ku mund të shkaktohet skolioza që ndikon shumë në rritjen e fëmijeve”.

Brajshori tutje thotë se “Tekstet duhet të reduktohen dhe të hartohen në mënyre pragmatike që të jenë jo të komplikuara si deri më tash, por shumë të kapshme dhe më argëtuese për nxënësit”.

Kurse, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në shkollimin fillor, të mesëm të ulët në Kosovë, në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319 mijë e 154 nxënës, kurse në vitin shkollor 2020-2021, numri i nxënësve është 229 mijë e 664 (28% më pak nxënës së para 12 vitesh)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore