Kosova

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë mbështet dialogun Kosovë-Serbi


Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, dhe Zëvendësdrejtoresha ekzekutive e UN Women, Asa Regner

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, njëherët edhe kryesuese në detyrë e OSBE-së, ka thënë se e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jam këtu në dy role të ndryshme, ju e dini si shtet i Suedisë, ne e njohim Kosovën, por si OSBE ne kemi qëndrim neutral për statusin. OSBE ka mbështetë procesin e dialogut. Vazhdoj të besoj fuqishëm se ka efekte pozitive në dialog dhe shpresoj të vazhdojë të jetë konstruktiv”.

“Mendoj se bashkëpunimi konstruktiv nga institucioneve e Kosovës është kyç në këtë aspekt”.

Po ashtu ajo ka përmendur edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe Kosovës.

“Rëndësinë që OSBE ia jep bashkëpunimin me Kosovën, ne e mbështesim partneritetin me institucionet këtu për të shtyrë agjendat përpara për fuqizimin e grave dhe luftimin kundër dhunës në familje”, tha ajo.

Linde vuri theksin e saj edhe në “parimet e përbashkëta dhe në zotimet e përbashkëta të 57 vendeve pjesëmarrëse në OSBE-së për të mbrojtur rendin dhe sigurisë në Kosovë”.

Ajo më tej ka shtuar se koncepti i OSBE-së mbështetet në konceptin e sigurimit gjithëpërfshirës.

“Kapaciteti unik të OSBE-së për sigurinë të zhvillojmë sigurinë tonë e cila është e mëshiruar në të drejtat ndërkombëtare dhe në kartën e OKB-së, lidhet në mes ekonomisë politikës të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore janë në themel të konceptit të OSBE-së për sigurinë gjithëpërfshirëse”, ka thënë ajo.

Ndërsa ka treguar se “OSBE mbetet e përkushtuar të mbështes institucionet tuaja në bazë të partneritetit tonë të fuqishëm. Gjatë kësaj vizite,po ashtu do të kem privilegjin të vizitoj projektet në teren të misionit të OSBE-së në Kosovë”, ka thënë ajo.

Sipas saj niveli i përfshirjes së grave në politikë është ende i vogël.

Ndërsa, ndihmës sekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht edhe zëvendësdrejtoresha ekzekutive e UN Women, Asa Regner tha se fokusi i tyre është për një paqe të qëndrueshme.

Duke e cekur se “UN Women është duke punuar në Kosovë që nga viti 2006 në forma të ndryshme.

Ministrja e punëve të jashtme të Suedisë, Ann Linde, u prit edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën bisedoi për rolin e OSBE-së në Kosovë.

Osmani gjatë këtij takimi tha se prioriteti i tyre është bashkëpunimi me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe anëtarësimi sa më i shpejtë i vendit tonë në to, ngase kësisoj do të përfitonin të gjithë qytetarët e vendit.

Ajo i kërkoi ministres Linde që Suedia, si vend udhëheqës i OSBE-së, të ndikojë që raportet e Kosovës me këtë organizatë të avancohen.

Kurse, udhëheqësja e OSBE-së ia paraqiti presidentes Osmani prioritetet të cilat vendi i saj do t’i ndjekë gjatë kohës sa do të udhëheqë me këtë organizatë.

“Mendoj se bashkëpunimi konstruktiv është kyç në këtë aspekt. Kur është fjala për procesin aktual të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është proces i dialogut i lehtësuar nga BE dhe mendoj se ka mundësi të adresojë problemet afatgjate dhe kontribuoj në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. OSBE e ka mbështetur zbatimin e marrëveshjeve në fushat të cilat janë në mandatin e OSBE-së për t’u marrë me to. Unë vazhdojë të besoj fuqishëm se ka efekte pozitive në këtë dialog dhe shpresoj të vazhdojë të jetë konstruktiv”, tha Linde..

Po ashtu, Presidentja Osmani theksoi mirënjohjen për rolin që kjo organizatë e ka luajtur në Kosovë në vitet ’90 nëpërmjet misionit të saj vëzhgues, por edhe pas luftës në forcimin e institucioneve.

Sipas një komunikate të Presidencës, u vlerësua lart fakti që Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka votuar unanimisht përfshirjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutë. Duke vepruar në këtë mënyrë, palët theksuan se Kosova është paraqitur si një vend që e kupton qartë rëndësinë e angazhimit drejt parandalimit të dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe mbrojtjes së viktimave.

Osmani potencoi që përtej këtij hapi të rëndësishëm, Kosova ka nevojë për mbështetje drejt zbatimit të kësaj Konvente duke kërkuar që të identifikohen modalitete të bashkëpunimit konkret në këtë drejtim.

Palët e vlerësuan gatishmërinë e Kosovës për të punuar ngushtë me OSBE-në dhe UN Women në forcimin e rolit të gruas në jetën publike, përfshirë edhe institucionet e sigurisë.

Në këtë vizitë, Linde ishte e shoqëruar edhe nga Asa Regner, zv. drejtoreshë e UN Women, duke qenë që në fokus të kësaj vizite ishte edhe çështja e fuqizimit të vajzave dhe grave në fushën e sigurisë dhe në procese të paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore