Kosova

BQK: Nga 1 korriku kërkon të ulen me 35% tarifat e sigurimit kufitar


Banka Qendrore e Kosovës

Ulja e përkohshme e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë, është vendimi i marrë nga Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së enjte.

“Menaxhmenti i Bankës Qendrore të Kosovës, ka marrë vendimin pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 22 qershor 2021, të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga auto përgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë”, thuhet në postimin e BQK-së në faqen zyrtare të saj.

Në njoftim thuhet gjithashtu se BQK kërkon nga Byroja e Sigurimeve të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar.

“Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të auto përgjegjësisë për grupet tarifore të auto veturave dhe motoçikletave për 35 përqind”.

Ndërsa me anë të këtij vendimi kërkohet, që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore