Kosova

Kosovë: Osmani ia vazhdon mandatin teknik EULEX-it


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka vazhduar edhe një vit mandatin teknik Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

“Kjo ftesë duhet të përkrah Misionin Evropian të Sundimit të Ligjit deri më 14 qershor të vitit 2022, me mundësinë për vazhdim edhe për një vit pas një rishikimi të suksesshëm, bazuar në mandatin teknik të fokusuar në monitorim, këshillim, në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në letërkëmbimin ndërmjet Osmanit dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Sipas saj “po ashtu do të vlerësoja konfirmimin tuaj se dosjet e të gjitha rasteve dhe dokumentet/materialet të lidhura me to, por jo të kufizuara në hetimet, dosjet e prokurorisë, procedurat gjyqësore, janë transferuar te institucionet e Kosovës deri më 14 shkurt të vitit 2018, siç është kërkuar në letërkëmbimet e kaluara në vitin 2018”.

Osmani ka kërkuar që të gjitha dokumentet dhe hetimet të dorëzohen deri me datën 31 dhjetor të vitit 2021.

“Në rast se obligimi nuk është përmbushur, atëherë do të kërkoja që gjitha materialet e lartpërmendura t’i dorëzohen institucioneve të Kosovës, jo më vonë se më 31 dhjetor 2021”.

E para e vendit ka thënë se nuk janë përmbushur pritjet e njerëzve për krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit.

“Siç e dini, shkëlqesia e juaj, kur ishte adoptuar mandatin ekzekutiv fillestar i EULEX-it, ishte pritur që do të fokusohet në raste të krimit të nivelit të lartë dhe korrupsionit si dhe në raste të ndërlidhura me krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit gjatë luftës në Kosovës”.

“Për fat të keq këto pritje të njerëzve të Kosovës kryesisht nuk u përmbushën, veçanërisht kur bëhet fjal për mandati ekzekutiv në këto çështje. Për këtë arsye pres që mandati këshillues, monitorues dhe mentorimit të kontribuojë vërtetë për të ndërtuar kapacitetet brenda sistemit të drejtësisë të Kosovës për t’iu adresuar këtyre çështjeve”.

 

 

 

Letër këmbimi i Vjosa Osmanit me Përfaqësuesit të Lartë të  BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

 

 

Ndërkohë, Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur që t’ia zgjasë misionin EULEX-it në Kosovë deri më 14 qershor 2023.

Në vendimin e datës 3 qershor 2021 që është publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, shuma e ndarë për shpenzimet e këtij misioni nga 15 qershori 2021 deri më 14 qershor 2023 do të jetë 173 milionë e 693 mijë e 683 euro.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore