Kosova

Presidentja Osmani emëron Kreshnik Radoniqin si kryesues të KQZ-së


Pas shkarkimit të Valdete Dakës nga detyra e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të KQZ-së.

Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, Zyra e Presidentit të Kosovës.

“Emërimi i gjyqtarit Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të sigurojë që integritet i KQZ-së nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësojë mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithë përfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Osmani ka vlerësuar se veprimet e kryesueses së KQZ-së nuk duhet të jenë shkak për humbjen e besimit qytetar ndaj institucionit, në veçanti pasi sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale.

Sipas presidencës, thuhet se “Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Po ashtu, në këtë njoftim thuhet se KQZ është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit.

“Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”, vijon njoftimi.

Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj.

Prandaj, Osmani “ka nxjerrë vendimin për lirimin nga detyra të Valdete Daka, duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike”.

Kush është Kreshnik Radoniqi, Kryesuesi i ri i KQZ-së?

Kreshnik Radoniqi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit që nga data një korriku i vitit 2019.

Ai në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të universitetit të Prishtinës, ndërsa në 2013 ka përfunduar studimet Master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse provimin e jurisprudencës e kishte përfunduar në vitin 2007.

Pozitën e gjyqtarit në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Radoniqi e pranoi në korrik të vitit 2019. Mirëpo para kësaj pozite ai ishte kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë.

Praktikën profesionale e kishte përfunduar në Gjykatën e Qarkut në Pejë nga viti 2006 deri më 2007. Prej vitit 2007 deri në vitin 2008, kishte punuar si Zyrtar i Lartë Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa nga muaji shkurt deri në muajin shtator të vitit 2008, kishte punuar si avokat në Pejë.

Gjatë kësaj kohe punonte edhe si Këshilltar Juridik në Agjencinë për Financim në Kosovë. Nga muaji shtator 2008 e deri në gusht 2012, ka punuar si Këshilltar Ligjor i gjyqtarëve të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Pejë.

Kryetari Radoniqi është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Pejë në Korrik të vitit 2012, ndërsa nga Janari i vitit 2013 u emërua gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Pejë.

Kurse nga muaji nëntor i vitit 2015 e deri në maj të vitit 2016, Radoniqi kishte punuar si gjyqtar i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke vazhduar punën në Gjykatën Themelore të Pejës në po të njëjtin departament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore