Kosova

Gjykimi ndaj ministrit Aliu, mbrojtja kërkon që aktakuza të hedhet poshtë


Në Gjykatën e Prishtinës, është zhvilluar seanca e radhës ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, i cili është akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjatë seancës, avokati i Aliut, Fatlum Podvorica, ka paraqitur kundërshtimet për provat dhe ka kërkuar që të hedhet aktakuza e ngritur për të akuzuarit, të cilët ngarkohen për veprën penale të korrupsionit.

“Konsiderojmë se aktakuza e ngritur ndaj të mbrojturit tim është ngritur pas kalimit të afatit 2 vjeçar të hetimit, për arsye se kallëzimi penal është dorëzuar me 23 prill 2018, ndërsa aktakuza është ngritur me 27 korrik 2020, që do të thotë është ngritur pas kalimit të afatit”, ka thënë Podvorica, në seancën e së hënës.

Ai ka theksuar se ndaj Aliut nuk ka pasur kallëzim penal nga policia.

“Ndaj të mbrojturi tim nuk është ngritur kallëzimi penal nga policia, por vetëm nga i dëmtuari Dan Imeri. Me rastin e paraqitjes së këtij kallëzimi penal, prokuroria ka pasur mundësi që brenda afatit 30 ditor ta hedhë kallëzimin penal, ose të merr aktvendim në formë të shkruar për zhvillimin e hetimit”, ka thënë Podvorica, raporton Betimi për Drejtësi.

Kështu avokati i Aliut, ka pretenduar se aktakuza është ngritur pas afatit ligjor.

“Në qoftë se gjykata nuk e hedhë poshtë aktakuzën, konsiderojmë se aktakuza është kontradiktore me dispozitivin e saj dhe me arsyetimin e saj”, ka deklaruar avokati Podvorica.

Ndërkaq, Aliu ka thënë se kërkesa për ndërtim individual të banimit nga qytetari Dan Imeri dhe disa të tjerëve, ishte refuzuar për shkak se në po të njëjtin vend ishte paraparë që të ndërtohej ndonjë institucion arsimor.

“Refuzimi i kërkesës së Dan Imerit dhe të tjerëve është se Dan Imeri ka kërkuar ndërtim individual të banimit ndërsa me planin rregullues urban Prishtina e Re – Zona perëndim, parashihet shkollë, ambulancë dhe çerdhe”, ka deklaruar Aliu.

Ndërkohë, bashkë me Aliun, në këtë rast po akuzohen edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Mimoza Berisha-Prestreshi, Zejnulla Rexhepi dhe Bahtie Uka.

Prokuroria në Prishtinë pati pranuar kallëzim penal nga të dëmtuarit, kundër të akuzuarve të lartpërmendur.

Drejtoria e Urbanizimit ka refuzuar kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore. Kështu, pronarët e parcelave kanë paraqitur ankesë në Ministri. Kjo e fundit ua pranon atë ankesë, duke e shfuqizuar vendimin e Drejtorisë së Urbanizimit.

Kundër vendimit të Ministrisë, Komuna e Prishtinës, ka kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  dhe shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

Mirëpo Gjykata, më tetë nëntor të vitit 2017, pati nxjerrë vendimin me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Komunës së Prishtinës.

Kundër vendimit të shkallës së parë, Komuna është ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila me aktvendim ka refuzuar ankesën e paditëses dhe e ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.

Ndryshe, Drejtoria e Urbanizmit nuk vazhdon procedurë për nxjerrjen e vendimit për caktimin e kushteve ndërtimore por e refuzon kërkesën për caktimin e tyre.

Vendimi i Drejtorisë, është nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ardian Olluri dhe nga Bahtie Uka, arkitekte e Drejtorisë së Urbanizimit.

Kjo drejtori, ka refuzuar kërkesën e pronarëve për lejimin e kushteve ndërtimore. Ndërsa pronarët e parcelave kanë bërë ankesë në Ministri, e cila në korrik të vitit 2018 e pati shpallur vendimin e Drejtorisë së urbanizmit si të pavlefshëm.

Nga ky vendim, të akuzuarit sërish kanë filluar ta trajtojnë lëndën nga fillimi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore