Kosova

Qeveria Kurti i lë komunat pa projekte infrastrukturore


Shumë komuna të Kosovës do të mbesin pa projekte infrastrukturore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pasi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka vendosur pezullimin e të gjitha memorandumeve me komunat që janë nënshkruar në vitin 2021, nga ish-ministri Arban Abrashi.

Komuna e Prishtinës mund të mbetet pa rrugën A, Komuna e Gjilanit pa zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës nga qyteti në për në Preshevë, Ferizaj pa asfaltimin e rrugës Talinoc i Muhaxherëve – Rahovicë, Lipjani pa asfaltimin e rrugëve në fshatrat Torinë, Banullë, Topliqan, Kraishtë dhe Shalë etj.

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se anulimi i këtyre projekteve ka ndodhur për shkak të pandemisë, por edhe për shkak që nuk janë analizuar mirë.

“Këto memorandume janë nënshkruar pa u analizuar mirë dhe duke e pasur parasysh që jemi edhe në kohë pandemie rrezikojmë që të mos kemi mjete për realizimin e tyre. Vetëm në janar, shkurt dhe mars janë nënshkruar memorandume me komunat në vlerë 18.5 milionë euro”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Të gjitha komunat e Kosovës kanë projekte me Ministrinë e Infrastrukturës, mirëpo Komuna e Prishtinës është humbësja më e madhe nga ky vendim.

Në memorandumin në mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, janë parapa shumë projekte me rëndësi për kryeqytetin dhe që ndihmojnë në lirimin e komunikacionit të mbingarkuar.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinë, Selim Pacolli, ka thënë për Albanian Post se Komuna nuk është njoftuar me këtë vendim të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Rreth vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, me të cilën anulon të gjitha memorandumet e nënshkruara mes Komunave dhe këtij institucioni, mund të them se ne si Komunë e Prishtinës ende nuk kemi pranuar ndonjë njoftim zyrtarë nga ministria, për vendimet e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, një veprim i tillë, do të ketë ndikim direkt në implementimin e këtyre projekteve infrastrukturore të Komunës.

Ndërsa ka shtuar se “tani për tani ne jemi në fazën tenderuese të shumicës nga 10 projekte të parapara për bashkë investim”.

“Komuna e Prishtinës e ka të pa mundur t’i mbulojë vetme këto projekte kapitale”, ka thënë Pacolli.

Nënkryetari  i Komunës së Prishtinës më tej ka thënë se ky vendim do të pamundëson realizimin e këtyre projekteve.

“Kurrë nuk do të besoja që në këtë formë. Sidoqoftë, ne nuk do të ndalemi në realizimin e projekteve kapitale të cilat do të lehtësojnë jetën e qytetarëve”, ka shtuar Pacolli.

Memorandumi në mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës që ishte nënshkruar parasheh zgjerimin e rrugës Nacionale N9 Prishtinë-Mutivodë, zgjerimi i rrugës nga Ura e Veternikut deri në hyrje të Graçanicës, asfaltimin e rrugës që lidhë rrugët nacionale N2 me N25 për te qendra e Panaireve, ndërtimi i kolektorit në Hajvali, dizajnimi i segmentit nga Çagllavica deri në Prishtinë dhe ndërtimin e rrugës A me kolektorin e ujërave të zeza.

Edhe Komuna e Gjilanit ndikohet shumë nga ky vendim, pasi në projektet kapitale që Qeveria ka parapa në këtë komunë, është zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës nga qyteti për në Preshevë.

Kryetari i kësaj komunë, Lutfi Haziri, ka thënë për Albanian Post se i kanë nisur procedurat, pasi vendimet politike nuk janë mbi ligjin.

“Ligji për buxhet nuk ka ndryshuar, apo nuk është rishikuar. Ne, Komuna kemi zbatuar procedurat e me ligjin në fuqi dhe jemi në fazën kontraktuale të punëve. Vendimi politik nuk mund të jetë mbi ligjin”, ka thënë Haziri për AP.

Albanian Post ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetarët e komunave siç është Lipjani, Ferizaj, Vitia, Istogu dhe Peja, por ata nuk janë përgjigjur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore