Kosova

Myftiu Tërnava: Do të falet vetëm namazi i “Fitër Bajramit”, por s’do të ketë ceremoni zyrtare


Naim Tërnava, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu, Naim Tërnava, ka bërë të ditur se nuk do të ketë ceremoni zyrtare për faljen e “Fitër Bajramit” nëpër xhami, por vetëm namazi do të falet, e kjo shkaku i pandemisë COVID-19.

Tërnava duke folur në një mesazh për publikun, ka thënë se “kujdesi nga virusi duhet të vazhdojë, sepse ende është në mesin tonë”, duke shtuar se kanë hequr dorë nga ceremonia zyrtare e kësaj feste.

“Për ta ruajtur veten dhe shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke i respektuar protokollet anti-COVID dhe për ta falur vetëm namazin e Fitër Bajramit”, tha Tërnava.

Myftiu po ashtu theksoi se festa e bajramit sjell gëzim, ngrohtësi e qetësi shpirtërore, për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

“Është festë që afron prindërit më fëmijët, fëmijët me prindërit , të rinjtë me të moshuarit, të pasurit me të varfëritë, festë që e ndihen dhe e përjeton gjithë shoqëria”, tha ai.

Tërnava ka folur edhe për ndikimin që ka kjo festë në shoqërinë tonë, duke theksuar se këtë festë e karakterizon bamirësia dhe afërsia me njerëzit.

Ai ka thënë që të bëhet kujdes edhe me vizitat familjare për festën e Fitër Bajramit.

“Ju ftoj që të bëheni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit do ta ruajmë karakterin e festës do të jemi pranë njëri tjetrit por do të kemi kujdes për shëndetin publik sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar”, ka shtuar Tërnava.

Pas 30 ditëve të muajit të Ramazanit, të enjten myslimanët anë e mban botës festojnë festën “Fitër Bajramin”, ose Bajramin e Madh, siç njihet në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore