Pajisje

Furnizuesi i Apple-it në Indi, krizë prodhimi


Në Indi, më një fabrikë të Faxconn-it prodhimi i iPhone 12 të Apple-it ka rënë me më shumë se 50 për qind për shkak se punonjësve të infektuar me COVID-19 u është dashur t’i lënë postet e tyre.

Agjencia e lajmeve, Reuters, e cila mban ekskluzivitetin e lajmit, tregon se struktura e Faxconn-it që është e vendosur në shtetin jugor të Tamil Nadu-së prodhon iPhone-ët posaçërisht për tregun vendas, i cili është tregu numër dy i smartphone-ve në botë.

Për sa i përket Tamil Nadu-së, rezulton të jetë një nga shtetet më të goditura nga vala e dytë e pandemisë që ka përfshirë Indinë. Kjo bëri që zyrtarët vendas të ndërmerrnin masa drejt një bllokimi të plotë të shtetit duke mbyllur transportin publik dhe dyqanet për të frenuar infektimet.

Burimet e Reuters kanë treguar se në fabrikë, më shumë se 100 punonjës rezultuan pozitivë me COVIS-19 duke detyruar Faxconn-in të zbatojë një politikë ndalimi për hyrjen në fabrikën e saj në kryeqytetin e Chennai-tderi në fund të muajit maj.

“Që nga dje, punonjësit lejohen vetëm të largohen, por jo të hyjnë në objekt”, ka thënë një nga burimet duke vazhduar se “vetëm një pjesë e vogël e prodhimit po mbahet”.

Ky burim ka shtuar se mbi 50 për qind e kapacitetit të fabrikës ka rënë, por nuk e ka specifikuar duke e lënë të paqartë se sa punonjës ishin në objekt, i cili siguron strehim të punonjësve nëpër konvikte.

Ndërkohë Faxconn-i, i cili është një nga furnizuesit më të mëdhenj të Apple-it, ka deklaruar që një numër i vogël i punonjësve në një nga objektet e saj në Indi kanë rezultuar pozitivë me coronavirus. Gjithashtu ka thënë se kompania u siguronte atyre mbështetje përfshirë këtu edhe ndihmën mjekësore.

“Faxconn-i vendos shëndetin dhe sigurinë e punonjësve tanë si përparësinë tonë më të lartë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi punuar ngushtë me qeverinë lokale dhe autoritetet e shëndetit publik në Indi për të adresuar sfidat me të cilat ne dhe të gjitha kompanitë po përballemi në trajtimin e krizës së COVID-19”, ka thënë kompania gjatë një deklarate.

Nga ana tjetër ajo nuk pranoi të komentonte mbi kapacitetet prodhuese të fabrikës apo nivelet specifike të personelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore