Kosova

Dialogu Kosovë – Serbi vazhdon në fund të qershorit


Josep Borrell

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, do të vazhdojë në fund të qershorit të këtij viti, ka thënë shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Arsye për këtë fillim më të vonuar se sa ishte planifikuar paraprakisht, është kërkesa e palës kosovare për kohë shtesë, që të njoftohet më mirë me situatën dhe raundet e mëparshme të bisedimeve.

“Nuk mund të shkojmë në pushime pa vazhduar dialogun”, ka thënë Borell.

“Prandaj, kemi rënë dakord të kemi një takim të ri para fundit të qershorit”.

Borell shtoi se shpreson që deri në këtë afat kohor palët “do të kenë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe se do të vijnë të përgatitur në Bruksel”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e fundit në kryeqytetin belg, u ankua se nuk i dinin të gjitha ato që janë biseduar në mes të delegacioneve ndër vite, meqë nuk kanë pranuar shumë informacion nga qeveritë paraprake.

Ai, për këto konstatime, u kundërshtua nga partitë që ishin më herët në bisedime. Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku – partia e të cilit udhëhiqte me qeverinë e kaluar – tha se deklarimet e Kurtit janë të pavërteta.

“E keni dokumentin me të gjitha detajet, ai u është dorëzuar”, pati deklaruar Abdixhiku.

Njëjtë, paraardhësi i Kurtit, Avdullah Hoti, me anë të një postimi në Facebook, kishte shkruar se gjithçka rreth dialogut i është bërë e ditur qeverisë së re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore