Lajme

BE-ja dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor


Bashkimi Evropian (BE) të hënën e 10 majit do të diskutojë sesi të përmirësojë marrëdhëniet me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim vjen mes bllokadës së pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe kërkesës së disa shteteve anëtare për të zhbllokuar procesin dhe politikën e zgjerimit të unionit.

Në këtë mënyrë, 27 vendet do të studiojnë sesi t’i përkushtohen më shumë një rajoni, të cilën e konsiderojnë kyç, mbi të cilin aktorët e huaj, si Rusia dhe Kina, kanë një ndikim të veçantë.

Pas mbërritjes së tij në takimin ballë për ballë të ministrave të Jashtëm të Bashkimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, shpjegoi se Blloku Evropian duhet të mendojë se si t’u ofrojë një “perspektivë më të madhe dhe më të fortë evropiane rajonit”.

Ky takim do të jetë parathënia e një darke pune, e cila do të mbahet këtë javë në Bruksel me udhëheqës nga zona.

Subjekti, që do të mbizotërojë gjatë takimit, është situata në të cilën ndodhen Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, dy vende që morën dritën jeshile të 27-ve për të filluar bisedimet e pranimit në mars 2020. Procesi i të dy shteteve të Ballkanit Perëndimor u bllokua për shkak të hezitimit të disa vendeve anëtare.

Kritiku më i madh në këto momente është Bullgaria, e cila përmend ndryshimet historike dhe kulturore me Maqedoninë e Veriut për të vënë veton në rrugën e saj evropiane.

Situata në Tiranë dhe Shkup peshon mbi besueshmërinë e BE-së në një zonë të shënuar nga tensioni i fshehtë midis fqinjëve dhe nga procesi i ngadaltë i pranimit të vendeve të tjera të tilla, si Serbia.

Që kur mori detyrën e shefit të diplomacisë evropiane, Borrell e ka kthyer në përparësi përmirësimin e marrëdhënieve mes rajonit dhe BE-së.

“Ballkani është një rajon, thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës”, deklaroi ministri i Jashtëm Portugez, Augusto Santos Silva, i cili mban presidencën e radhës së BE-së.

Në të njëjtën kohë, disa shtete anëtare kanë theksuar rëndësinë e përputhshmërisë me vendet e Ballkanit dhe ndërmarrjen e hapave për t’u bashkuar me unionin.

Suedia, ministrja e Jashtme e së cilës, Ann Linde, ka kërkuar të “përmbushë angazhimet evropiane” me Ballkanin dhe të hapë negociatat e hyrjes me Maqedoninë “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke lënë të kuptohet se besimi në bllokun Evropian është në rrezik.

E njëjta linjë është ndjekur nga ministrja Estoneze, Eva-Maria Liimets, e cila ka mbrojtur vazhdimin e “historisë së suksesit” të politikës së Zgjerimit të BE-së dhe thirrjen e konferencave ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë, një moment historik që nis negociatat për hyrjen në Bashkimi Evropian.

“Ne kemi nevojë për një angazhim më të madh politik dhe një qasje më strategjike dhe partnerët tanë të përputhen me transformimin demokratik, të Drejtat e Njeriut dhe shtetin e së drejtës”, ka thënë ministri i Jashtëm Kroat, Grlic Radman, i cili ka kërkuar që BE-ja duhet “të pajtohet” dhe të hapë negociatat me Tiranën dhe Shkupin, heqjen e vizave me Kosovën dhe mbrojtjen e sovranitetit të Bosnje dhe Hercegovinës.

Nga pala sllovene, ministri i Jashtëm Anze Logar ka njoftuar se vendi i tij do të mbledhë një samit të përqendruar në Ballkan në tetor, që përkon me presidencën gjashtë-mujore të Këshillit.

“Ne do të riafirmojmë mendimin tonë se ky rajon është i një rëndësie strategjike për BE-në”, tha politikani slloven, pasi vendi i tij ishte në qendër të polemikave rreth një dokumenti jozyrtar (non-paper) që propozonte rregullimin e kufijve ballkanikë.

Përveç diskutimit mbi Ballkanin, ministrat e Jashtëm të 27-ve do të mbajnë kontakte me të dërguarin special të SHBA-ve për klimën, John Kerry, në atë që pritet të jetë një nga takimet e para për të radhitur pozicionet në agjendën e klimës midis Washington-it dhe Bruksel-it, pas ndryshimit të Presidencës në Shtëpinë e Bardhë.

Përshtatur nga Europa Press për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore