Kosova

Borrell: Liria e medias mbetet nën kërcënim


“Në një kohë kur raportimi nga media e pavarur dhe e lirë është më e rëndësishme se kurrë, liria e medias është ende e kërcënuar”, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell me rastin e Ditës së Lirisë Botërore të Shtypit.

“Veçanërisht shqetësuese është dhuna me bazë gjinore ndaj gazetarëve,” tha Borrell në një deklaratë për media, raporton agjencia e lajmeve Kuna.

Borrell përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se “liria si gur themel i shoqërisë demokratike, mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara”.

“Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë”, shtoi Borrell.

Sipas tij, pandemia e ka përshpejtuar erozionin e lirisë së medias në të gjithë botën.

“Ne duhet të veprojmë për ta përmbysur këtë prirje sepse pa informacion të lirë dhe të saktë, nuk mund të funksionojë demokracia”, është shprehur ai.

Në ditën botërore të lirisë së shtypit një mesazh e ka shprehur edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Ajo përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se demokracia në çdo vend kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione të sakta.

“Në Ditën e Lirisë së shtypit botëror, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, riafirmojnë mbështetjen për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve të medias në të gjithë botën, duke përfshirë Shqipërinë. Demokracia kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione faktike dhe të sakta të siguruara nga media të pavarura”, ka shkruar ajo.

Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit, të publikuar më 20 prill, Kosova u radhit në vendin e 78-të, përkatësisht tetë pozita më keq se vitin paraprak.

Ndërkohë, me rastin e shënimit të kësaj dite, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) do të mbajë një konferencë për media dhe një tryezë diskutimi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore