Kosova

6 mijë e 509 patentë shoferë ilegalë u konvertuan në të Kosovës, nga e hëna nis gjobitja


Ilustrim

Këtë të premte (23 gusht), ka përfunduar afati për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuara nga strukturat ilegale të Serbisë, në ato legale RKS. Shtyrje, siç ka ndodhur disa herë më parë, më nuk do të ketë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për Albanian Post se janë konvertuar 6 mijë e 509 patentë shoferë gjithsej.

Elshani, po ashtu, njoftoi se në dy ditët e ardhshme do t’u jepet afat atyre që kanë ende patentë shoferë ilegalë e që policia has në ta, për t’i njoftuar se me të njëjtit nuk është i mundshëm qarkullimi më.

Pas kësaj, pra nga e hëna, për këdo që policia gjen se ka patentë shoferë ilegalë në trafik, do të shqiptohen gjoba, pasi që kjo tani llogaritet kundërvajtje.

“Deri më sot në orën 16:00, konvertimi i patentë shoferëve ka qenë proces politik, pas orës 16:00 është proces policor, pra trajtohet si kundërvajtje. Merret policia me ta”, tha Elshani.

Më 7 maj, ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kishte marrë vendim që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

Pas skadimit të këtij afati, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë paralajmëruar se nuk do të jetë e mundur vozitja në Kosovë me patentë shoferë ilegalë serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore