Kosova

5 persona të arrestuar, dyshohen për “Përgatitje të veprave terroriste”


Policia e Kosovës

Pesë persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të dyshuar për përgatitje të veprave terorriste në Kosovë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se pas një hetimi disa mujorë dhe zbatimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, me urdhër të kësaj prokurorie, është zhvilluar një operacion nga ana e Policisë së Kosovës, respektivisht nga Drejtoria Kundër Terrorizmit që ka rezultuar me pesë persona të arrestuar”, e konfirmon për Albanian Post Ekrem Lutfiu, zëdhënës i PSRK-së.

Prokuroria Speciale njofton se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrit, dron, si dhe armë anti-tankë.

“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës””, thuhet në njoftim.

“Lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së”, vazhdon njoftimi

PSRK, njofton se personat e njëjtë dyshohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Po ashtu, Prokuroria Speciale, brenda afateve kohore ligjore do të bëjë kërkesë për caktim të paraburgimit për pesë personat e ndaluar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore