Shëndet

1 në 5 vdekje të moshës 20 deri në 49 vjeç në SHBA i atribuohet pirjes së alkoolit


Konsumimi i një birre, një gote me verë ose një kokteji mund të duket tejet e zakonshme.

Por zbulimi i një studimi të ri ka sugjeruar se është e rëndësishme që të gjithë të kenë parasysh përdorimin e alkoolit.

Referuar studimit, një në pesë vdekje të njerëzve të moshës 20 deri në 49 vjeç i atribuohet përdorimit të tepërt të alkoolit në SHBA.

Kurse për ata të moshës 20 deri në 64 vjeç, vdekjet e lidhura me alkoolin përbënin një në tetë vdekje.

Përqindja e vdekjeve që i atribuohen përdorimit të alkoolit ndryshonte nga shteti në shtet, por në nivel kombëtar është shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme.

Autorja kryesore e studimit, Marissa Esser, ka treguar se studiuesit i morën të dhënat e vdekshmërisë nga viti 2015 deri në vitin 2019.

Ata u fokusuan te vdekjet që i atribuoheshin plotësisht ose pjesërisht pirjes së alkoolit.

Sipas të dhënave, vdekjet që i atribuoheshin plotësisht alkoolit ishin rritur ndjeshëm në dekadën e fundit.

Esser ka treguar po ashtu se kishte vdekje që alkooli ka të ngjarë të ketë kontribuar në aspekte që studiuesit nuk mund t’i përfshinin.

Disa kushte mund të kenë pasur alkoolin si një faktor, por studiuesit nuk ishin në gjendje të verifikonin me siguri rolin që luante ai.

Besohet se agjencitë shtetërore dhe lokale të qeverisjes duhet të inkurajojnë njerëzit për të pirë më pak.

“Shtetet dhe komunitetet mund të parandalojnë këto vdekje të parakohshme duke përdorur strategji të bazuara në prova për të reduktuar disponueshmërinë dhe aksesin e alkoolit dhe për të rritur çmimin e tij”, ka theksuar Esser.

Dhe kjo mund të nënkuptojë rritjen e taksave për alkoolin ose kufizimin e vendit ku shitet alkooli.

Kurse në rrafshin personal, ajo ka rekomanduar që njerëzit të përpiqen të ndalojnë ose kufizojnë konsumimin e alkoolit.

Reduktimi i pijes mund të ketë një efekt të ngjashëm si dieta, ka treguar dietologia Natalie Mokari.

Ajo rekomandon nisjen e kufizimit me një pije më pak se zakonisht.

Gjithashtu sugjeron pirjen e ujit të gazuar mes pijeve alkoolike ose pirjen e koktejeve me më pak alkool se zakonisht për të reduktuar konsumin e tij.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore