Shqipëria

Zyrtarizohet rezultati në 3 bashki, PS fituese – Priten tre të tjerat


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka zyrtarizuar rezultatin zgjedhor për tre nga gjashtë bashkitë ku ka pasur zgjedhje të pjesshme, duke shpallur fitues kandidatët e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Janë Vora, Rrogozhina dhe Dibra, tre bashkitë, të cilat i kanë mbyllur zyrtarisht numërimet e votave.

Në Vorë, që prej mbrëmjes së djeshme, pak orë pas përfundimit të procesit, falë votimit dhe numërimit elektronik, është shpallur fitues kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera.

Në Bashkinë Rrogozhinë, fitues është zyrtarizuar sërish kandidati socialist, Edison Memolla.

Rrahim Spahiu i PS-së, ka dalë fitues ndërkohë në Bashkinë Dibër.

Sipas të dhënave të tjera të përpunuara në këto tre bashki, dy prej tyre kanë parë kandidatin e lëvizjes Berisha nën siglën “Shtëpia e Lirisë”, të renditur të dytin. Përkatësisht, në Vorë dhe Dibër.

Në Rrogozhinë ndërkohë, i dyti ka rezultuar kandidati i Partisë Demokratike të Lulzim Bashës.

Sa i përket tre bashkive të mbetura, shumë pak kuti kanë ngelur pa u numëruar.

Në Durrës, Emiriana Sako është në një avantazh të ndjeshëm dhe ka një avantazh të qartë për fitoren e qytetit bregdetar. Në Lushnjë, Eriselda Sefa është fituese dhe vetëm zyrtarizimi pritet.

Teksa, në Bashkinë Shkodër, fitues pritet të shpallet kandidati i lëvizjes Berisha, Bardh Spahia.

Partia Demokratike, në të tre këto bashki, ka pasur një performancë të dobët dhe zhgënjyese.

Rezultati përfundimtar edhe në këto tre bashki, pritet të shpallet së shpejti.

Ndërsa, mbi procesin e identifikimit elektronik në tërësi dhe votimit e numërimit elektronik në Bashkinë Vorë, gjithçka sipas komisionerit Celibashi, ka shkuar mirë dhe nuk janë shënuar incidente madhore me to.

Defektet sporadike teknike janë ndrequr në kohë, për të lejuar votimin të vazhdojë e të përmbyllet.

Qendra të votimit ku nuk ka pasur zgjedhje, janë tre, në Bashkinë Shkodër. Dy prej tyre gjenden në zonën administrative Shoshë dhe njëra në Pult.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore