Shqipëria

Zyrtarizohet kandidatura e dytë për primaret demokrate


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani është kandidatura e dytë për primaret në Partinë Demokratike.

Kujtojmë që në përmbyllje të këtij procesi do të zbulohet edhe kandidatura zyrtare e opozitës për kryebashkiakun e ri të Tiranës – dhe bashkive të tjera.

Zyrtarizimi erdhi nga vetë Bogdani, duke cituar fjalën e tij në konferencën për shtyp.

Ai u ndal fillimisht te pasojat e keqmenaxhimit të qytetit duke iu referuar këtu “zhvatjes së hapësirave të gjelbërta”.

Sipas tij, ndërtimet dhe betonizimi pa kriter “po i marrin frymën çdo ditë e më shumë çdo banori të këtij qyteti”.

Bogdani solli në vëmendje gjithashtu trafikun e rënduar, i cili “i vjedh qytetarëve para dhe kohë” apo ajrin e ndotur që thithim përditë.

Mes të tjerash përfaqësuesi demokrat foli edhe për ndotjen e ambientit apo mungesën e furnizimit me ujë.

Kjo, pa harruar vëmendjen ndaj shtresave në nevojë dhe transportit publik që nuk garanton kushtet më minimale të sigurisë, sipas demokratit.

Më herët, ishte deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi i cili shpalli kandidaturën e tij për kryebashkiakun e ri të Tiranës.

Kjo kandidaturë do duhet të kalojë fillimisht përmes primareve për të shkuar drejt zgjedhjeve vendore të fiksuara më 14 maj.

“Unë kandidoj në këto primare për zgjedhjet vendore, pasi besoj se për të administruar Tiranën duhet të fitosh si fillim besimin e forcës politike ku adreson, të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Në ndryshim nga Erion Veliaj, ecuria ime në politikë është vetëm nëpërmjet garës dhe votës së lirë”, u shpreh fillimisht përfaqësuesi demokrat.

Sipas tij, Veliaj kërkon të shfrytëzojë këtë pushtet dhe i duhet bashkia për një mandat të tretë.

“E kam të papranueshme të mbetem një dëshmitar okular i kësaj katastrofe në Tiranë. Të rinjve këtu u duhen tre jetë për të blerë një apartament. Veliaj është i vetmi njeri që mund të ketë konkuruar Ramën për abuzim me detyrën, për instalimin e një modeli të mbrapshtë. Ai dhe modeli i tij duhet larguar një orë e më parë”, theksoi Këlliçi.

Lajmin se Këlliçi është i gatshëm të garojë, e ka përshëndetur edhe vetë kryedemokrati Sali Berisha.

Kjo, gjatë një konference për media, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me Partinë e Lirisë, për bashkëpunim në vendoret 2023.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave, një emër konkret për rivalin e Veliajt, ende nuk është bërë publik.

Sipas ish-kryeministrit, asgjë nuk është e caktuar, për sa kohë primaret janë në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore