Zyrtari i BE-së takon përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Banjës

Marko Makovec

Dreni Himbeqa
13.10.2023 9:29
Loading Icons...

Zëvendësdrejtori i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm i cili menaxhon Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, Marko Makovec, këtë të premte do të zhvillojë disa takime në Prishtinë duke përfunduar vizitën e tij dy ditore në Kosovë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një postimi në platformën, X, ka bërë të ditur se Makovec, të enjten ka takuar përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Banjës, me të cilët ka diskutuar rolin e udhëheqësve fetarë në nxitjen e marrëdhënieve paqësore ndër-etnike.

“I shoqëruar nga Tomasz Szunyog dhe Giovanni Pietro Barbano, Makovec takoi edhe disa bashkëbisedues në Veri të Kosovës, përfshirë këtu shoqërinë civile dhe u informua nga shefi i EULEX-it. Vizitën e tij do të përfundojë sot me takime në Prishtinë duke treguar interesin dhe angazhimin e fortë të BE-së në Kosovë”.

Nga Manastiri i Deçanit u tha se zyrtari i BE-së, bashkë me ambasadorin e BE-së në Kosovë Tomas Szunyog dhe shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, u pritën nga peshkopi Teodosije i Dioqezës Rashkë-Prizren dhe nga Ati Danilo, igumeni i Manastirit të Banjskës.

Në njoftim e Manastirit të Deçanit u bë e ditur se delegacioni i BE-së pati një diskutim me nikoqirët për çështje aktuale.

“Një pikë kryesore e bisedës ishte nevoja e theksuar për dialog konstruktiv si qasja e vetme për tejkalimin e rrethanave sfiduese që arritën kulmin me ngjarjet tragjike të 24 shtatorit”, u tha në njoftimin e Manastirit të Deçanit.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Të fundit

Aktuale