Lajme

Zyrtarët e Listës Serbe hetohen nga Agjencia kundër Korrupsionit për mos-deklarim të pasurisë


Anëtarët e Listës Serbe

Agjencia kundër Korrupsionit në Kosovë ka nisur procedurat hetimore kundër zyrtarëve të Listës Serbe.

Arsyeja e fillimit të procedurës është se zyrtarët e Listës Serbe, të cilët mbajnë pozita të ndryshme në nivel qendror dhe lokal në institucionet e Kosovës, nuk i kanë raportuar rregullisht pasuritë apo të ardhurat e tyre.

Procedura është iniciuar kundër kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiç, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sllavko Simiç, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiç, deputetëve Zoran Mojsilloviç dhe Verica Ceraniç, ish-deputetit Ivan Todosijeviç, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç dhe këshilltarit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Alleksandar Spiriç.

Po ashtu, Agjencia kundër Korrupsionit e Kosovës ka iniciuar hetim kundër Zllatko Miniçit, Miodrag Ralliçit, Verolub Stankoviçit, Millorad Jovanoviçit, Millan Ivanoviçit dhe Sergjan Nikolliçit.

Nga Agjencia për Radio Evropa e Lirë thonë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me mbledhjen dhe analizimin e dokumentacionit përkatës.

Për rastin e Lubinko Karaxhiçit, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i Komunës së Graçanicës, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka pezulluar hetimet.

Në sistemin serb, Karaxhiç ishte kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Prishtinës, institucion ky që nga autoritetet e Kosovës konsiderohet jolegal dhe paralel.

Në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Agjencisë.

Nikolliç është edhe koordinator i organit të përkohshëm komunal të Shtërpcës, sipas sistemit serb. Ai është arrestuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, për shkak të dhënies së paligjshme të lejeve të ndërtimit në Brezovicë, pas së cilës i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore