Sport

Zyrtare: Zekirija Ramadani emërohet trajner i klubit shqiptar


Ish-trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, është emëruar trajner i skuadrës shqiptare, Egnatia.

Lajmin për afrimin e trajnerit nga Shkupi e ka bërë të ditur vet klubi i Egnatias, përmes një postimi në faqen e tyre në Facebook.

“Mirë se vjen Zekirija Ramadani. Presidenti Demrozi zyrtarizon sot trajnerin e ri të skuadrës. I urojmë suksese në drejtimin e ekipit trajnerit Ramadani”, thuhet në postimin e klubit.

Kujtojmë që Ramadni vetëm pak ditë më parë u shkarkua nga klubi i Prishtinës, pas një fillim sezoni të dobët nga ana e tij.

Ndërsa, në edicionin e kaluar ai arriti të fitojë titullin kampion të Kosovës me Prishtinën, pas një pritje prej tetë vjetësh.

Ai është një ndër trajnerët më të suksesshëm të futbollit kosovar, i cili ka fituar titullin kampion me tri klube të ndryshme, ku përveç Prishtinës, suksesin e shijoi edhe me Trepçën’89 dhe Feronikelin.

Ndërsa, përveç klubeve të lartcekura, Ramadani ka drejtuar edhe ekipe tjera si Shkupi e Flamurtari i Vlorës.

Sa i përket klubit të tij të ri, Egnatias, ata gjenden në pozitën e gjashtë, me 10 pikë të grumbulluara, në elitën e futbollit shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore