Sport

Zyrtare: Tottenham-i eliminohet nga Liga e Konferencës


Tani është zyrtare, UEFA ka marrë vendim që ndeshja Tottenham Hotspur – Rennes, të vendoset me fitoren e këtyre të fundit në tavolinë me rezultat 3:0.

Si rezultat i kësaj, anglezët mbeten në pozitën e tretë në tabelë, që do të thotë se ata tashmë janë të eliminuar nga Liga e Konferencës.

Ndërsa vendin e parë e marrin pikërisht francezët, kurse në të dytin mbeten holandezët e Vitesse-s.

Kjo ndeshje ishte shtyrë fillimisht për shkak të disa rasteve me Coronavirus në radhët e ekipit londinez. Data e rikuperimit të ndeshje u caktua 9 dhjetori, por zhvillimi i saj ishte i pamundur.

Kjo pasi që Tottenham-i kishte njoftuar se ndeshja nuk mund të zhvillohej, pasi që tetë lojtarë dhe pesë anëtarë të stafit rezultuan pozitivë me COVID-19.

Përpjekjet për të gjetur një datë të re për lojën rezultuan të pasuksesshme dhe UEFA ka marrë vendimin e saj pasi konfirmoi se ndeshja nuk do të luhej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore