Sport

Zyrtare: Todd Boehly pronari i ri i Chelsea


Chelsea ka konfirmuar zyrtarisht se Todd Boehly do të jetë pronari i tyre, pasi fitoi të drejtën për të blerë klubin e Roman Abramovich, i cili gjendej nën sanksionet e qeverisë në Britaninë e Madhe pas luftës në Ukrainë.

“Chelsea Football Club mund të konfirmojë se një marrëveshje përfundimtare është nënshkruar mbrëmë për shitjen e klubit te konsorciumi Todd Boehly /Clearlake Capital. Transaksioni pritet të përfundojë të hënën”, thuhet në njoftimin e klubit blu.

Me këtë publikim, Chelsea i dha fund telenovelës së lidhur me shitjen e tij. Klubi londinez kalon zyrtarisht nga duart e manjatit rus Abramovich në ato të konsorciumit të udhëhequr nga bashkëthemeluesi, presidenti dhe CEO i “Eldridge”.

Operacioni, siç dihet, u mbyll mbi bazën e një totali prej 5 miliardë eurosh.

Klubi është vlerësuar në pak më pak se 3 miliardë euro. Pronarët janë zotuar të investojnë 2 miliardë shtesë në vitet e ardhshme midis stadiumit, ekipeve të meshkujve dhe femrave dhe objekteve të kompanisë, me synimin për të vazhduar epokën e lavdishme të Abramovich.

Ditët e fundit, miratimi i shitjes kishte ardhur edhe nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, pasi kishte marrë garancitë e kërkuara për destinacionin e të ardhurave të shitjes.

Komisioni i Bashkimit Evropian dhe Portugalia  shtetas i së cilës është Abramovich, kanë dhënë gjithashtu miratimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore