Wojciech Szczesny dhe Juventus ndahen pas shtatë sezonesh së bashku, me të dyja palët që ranë dakord për një ndërprerje reciproke të kontratës.
Ishte vetë klubi i Juventus-it me një deklaratë të fundit që zyrtarizoi ndarjen me portierin veteran polak.
“Ishte korriku i vitit 2017 kur Tek, për herë të parë kaloi nëpër dyert e Juventus-it, pasi kishte shijuar për herë të parë futbollin italian me një huazim dy-vjeçar te Roma, duke mbërritur në Torino nga skuadra londineze, Arsenal”, thuhet në deklaratën e klubit italian.
“Që nga ajo ditë, mes Tek dhe bardhezinjve pati një shkëndijë të menjëhershme: buzëqeshje, pasion dhe mbi të gjitha performanca solide mes shtyllave”.
“Tani 34-vjeçari bëri 252 paraqitje me fanellën e Juventus-it, 200 prej tyre në Serie A: me këtë moment historik të fundit, ai u bë lojtari i shtatë i huaj që arrin shifrën e 200 paraqitjeve në ngjyrat tona. Tek mbajti 100 porta të pastra, priti nëntë penallti dhe pati një përqindje mbresëlënëse prej 73%, që e vendosi atë të parin në Serie A në këtë kategori që nga ardhja e tij në Torino”.
“Në total, ndërkombëtari polak fitoi tetë trofe në shtatë vitet e tij si bardhezi: tre tituj të ligës italiane, tre kupa italiane dhe dy Superkupa italiane”.
“Tek do të mbahet mend gjithmonë si një lojtar i përkushtuar dhe një njeri që ka veshur fanellën tonë me krenari dhe profesionalizëm. Faleminderit për gjithçka Tek, dhe fat të mirë për të ardhmen”, përfundon deklarata e “Zonjës së Vjetër”.
Klubi ka vendosur të fokusohet te Michele di Gregorio dhe Mattia Perin, duke hapur tregun e transferimeve për lojtarin e lindur në vitin 1990, i cili ende nuk ka gjetur një ofertë të përshtatshme.
Ka pasur interesim nga Monza, ku Adriano Galliani shprehu dëshirën për të sjellë Szczesny-n si zëvendësues të Di Gregorio, i cili u transferua te Juventus. Megjithatë, Monza ka zgjedhur portierin e ri Semuel Pizzignacco, duke ia mbyllur pjesërisht derën Szczesny-t, i cili tani po shqyrton opsione të tjera, duke përfshirë një lëvizje jashtë vendit ose te Napoli.
Pa mundësi të kënaqshme për të vazhduar karrierën e tij, Szczesny po mendon gjithashtu të pensionohet. Ai ka treguar më parë mungesën e interesit për të luajtur deri në të 40-at, ndryshe nga Gianluigi Buffon.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com