Sport

Zyrtare: Aguero tërhiqet nga futbolli i luajtur


Futbollisit argjentinas i Barcelona-s, Sergio Aguero, ka njoftuar këtë të mërkurë të 15 dhjetorit tërheqjen nga futbolli i luajtur.

Sulmuesi pak kohë më parë, rezultoi me probleme në zemër dhe siç duket nuk ka mundur të ketë një rikuperim të plotë.

Pikërisht në tetor të këtij viti, në përballjen me Alaves-in në La Liga, ai ndjeu vështirësi në frymëmarrje. Më pas Aguero u detyrua të linte fushën e lojës.

Pas kontolleve mjeksore, argjentinasi rezultoi me probleme në zemër. Fillimish u tha se ai do të mungonte deri në tre muaj, por që më pas vendosi të hiqte dorë nga futbolli i luajtur.

Aguero foli në një intervistë për “Barça TV” nga “Camp Nou”, ku dha dhe lajmin rreth karrierës së tij.

“Shëndeti im vjen i pari. Stafi mjekësor më ka thënë se është më mirë të ndaloj së luajturi dhe kështu që tani po largohem nga Barça dhe po tërhiqem nga futbolli”, tha Aguero.

“Unë do të largohem tani me kokën lart, jam i lumtur. Nuk e di se çfarë më pret në jetën tjetër. E di që ka shumë njerëz që më duan, dhe duan më të mirën për mua”, shtoi argjentinasi.

33-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të futbollit botëror në vitet e fundit, si me Kombëtaren e Argjentinës, ashtu dhe me skuadrën e Manchester City-t, Atletico Madrid-it dhe Independiente-s.

Ndërsa, me Barcelona-n, është paraqitur shumë pak ndeshje, pikërisht prej atij problemi që e detyroi të hiqte dorë nga futbolli i luajtur.

Në total, argjentinasi numëron 666 ndeshje zyrtare. 379 gola dhe 146 asiste mbajnë emrin e tij. Ai ka fituar pesë trofe të Premier League, një Kupë FA, gjashtë Kupa të Anglisë, tre Superkupa të Anglisë, një Europa League, një Superkupë të Evropës, një Copa America, dy Kupa Bote me Argjentinën U-20 dhe medaljen e artë olimpike.

Aguero ka vendosur disa rekorde në Premier League, ligë në të cilën zhivlloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Ai është një nga pesë lojtarët që kanë shënuar më shumë gola në një ndeshje. Argjentinasi shënoi pesë gola në përballjen e fituar 6-1 ndaj Newcastle-t në sezonin 2015/16.

Sulmuesi është lojtari i katërt me më shumë gola në historinë e Premier League-s, me 184 gola. Në janar të 2020, Aguero vendosi rekord përsa i përketë hat-tricks (tre golave në një ndeshje). Ai parakaloi Alan Shearer-in dhe aktualisht renditet i pari me më shumë hat-tricks, 12.

Pas lajmit për tërheqjen nga futbollit, ka reaguar edhe ish-klubi i tij Manchester City.

Sipas deklaratës së anglezëve, thuhet se klubi do e nderojë Aguero-n me një statujë, që do të vendoset jashtë stadiumit “Etihad” vitin e ardhshëm. Statuja e argjentinasit do të qëndrojë së bashku me atë të Vincent Kompany-s dhe David Silva-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore