Lajme

Zyra për media e Presidentes Osmani: Zyrtari i BE-së mbështet Kosovën për Vetting


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe drejtori i Shërbimit Evropian i Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Marko Makovec

Përmes një njoftimi për media zyra për media Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se drejtori i Shërbimit Evropian i Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Marko Makovec, ka dhënë mbështetje për realizimin e procesit të Vettingut “në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane” edhe pse Raporti i Progresit i Komisionit Evropian e cilësoi si shqetësim serioz iniciativën për Vetting të plotë e të njëhershëm në Kosovë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim drejtorin në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Marko Makovec. Në takim me Makovec, Presidentja Osmani ka theksuar se reformat e thella në sistemin e drejtësisë dhe sundimi i ligjit janë prioritete të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të presidentes.

Sipas këtij njoftimi, Sundimi i ligjit, sipas Osmanit mbetet parakusht kryesor për suksesin e Kosovës në çdo fushë përfshirë integrimin në BE.

“Në këtë kontekst, nga zyrtari i lartë i BE-së Makovec, Presidentja Osmani ka marrë mbështetjen për realizimin e procesit të Vettingut në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane”.

Po ashtu, Osmani ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se BE-ja duhet ta mbajë fjalën për liberalizim vizash.

Të mërkurën, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e procesit të Vettingut ka thënë se s’pajtohet me rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian, të cilat thonë se gjatë kohë së hartimit të raportit, Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vettingut.

Ajo në një konferencë për media theksoi se pavarësisht se në raport thuhet që Vettingu duhet të jetë masë e fundit që merret në Kosovë, si presidente inkurajon institucionet që ta vazhdojnë këtë proces.

“Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i menjëherë i gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente nuk pajtohem me këtë konstatim. Mungesa e Vettingut do ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi.”, ishte shprehur Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore