Aplikacione

Përballja e parë e Zuckerberg-ut në Kongres


Kreu i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, ditën e enjte do të përballet për herë të parë në Kongres, lidhur me kryengritjen e 6 janarit në Capitol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rolin e platformës së tij në nxitjen e dhunës.

E përditshmja The Guardian sqaron se dëshmia e Zuckerberg-ut vjen pas tentativave të administratës së Joe Biden-it, për të ndjekur një linjë më të ashpër mbi fuqinë e industrisë së teknologjisë.

Shqetësimi i tyre përqendrohet kryesisht te platformat e medias sociale dhe rolit të tyre në përhapjen e teorive të keqinformimit dhe konspiracionit.

Zuckerberg-u nuk do të jetë i vetmi. Ai do të bashkohet me shefat ekzekutivë të Google-it dhe Twitter-it, Sundar Pichai dhe Jack Dorsey.

Së bashku, ata do të marrin pjesë në seancën dëgjimore me titull “Kombi i Dezinformimit: Roli i mediave sociale në promovimin e ekstremizmit dhe keqinformimit”, i mbajtur nga komiteti i energjisë dhe tregtisë i Dhomës së Përfaqësuesve.

Kjo vjen pas një raporti që zbuloi se Facebook-u ka lejuar grupe të lidhura me QAnon, boogaloo dhe lëvizje të milicisë, të cilat kanë nxitur dhunën gjatë zgjedhjeve të vitit 2020 dhe disa javë para se të ndodhte sulmi në Capitol, i cili la të vdekur.

Një grup jofitimprurës i quajtur Avaaz, ka njoftuar se ka identifikuar 267 faqe dhe grupe në Facebook që përhapin “përmbajtje glorifikuese të dhunës” në zgjedhjet e vitit 2020 në një ndjekje të kombinuar të 32 milionë përdoruesve.

Sipas The Guardian, të dhënat e raportuara treguan se dy të tretat e grupeve dhe faqeve kishin emra të lidhur me disa lëvizje ekstremiste të brendshme.

Prej kësaj, Avaaz-i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për hapjen e një hetimi mbi dështimet e platformës dhe të kalojë në mënyrë urgjente në legjislacion për të mbrojtur demokracinë amerikane.

Drejtori i fushatës, Fadi Quran, ka thënë se “raporti tregon se votuesit amerikanë u bombarduan me informacione të rreme dhe mashtruese në Facebook në çdo hap të ciklit zgjedhor të vitit 2020”.

Ai ka shtuar se, përgjatë një viti, janë grumbulluar të dhëna, të cilat vërtetojnë se përmbajtjet e platformës kanë ndihmuar në hutimin e votuesve, nxitjen e kaosit dhe dhunës.

“Gjëja më shqetësuese në analizën tonë është se Facebook-u posedonte mjetet dhe kapacitetin për të mbrojtur më mirë votuesit nga të qenit shënjestër e kësaj përmbajtjeje, por platforma i përdori ato vetëm në momentin e fundit pasi u bë dëmi i madh”, shpjegoi Quran.

Mirëpo, Facebook-u është kundërpërgjigjur ndaj kësaj akuze, duke thënë se Avaaz-i ka përdorur metodologji të gabuar.

Një zëdhënës i platformës, Andy Stone, ka thënë se “kemi bërë më shumë se çdo kompani tjetër e internetit për të luftuar përmbajtjen e dëmshme dhe deri më tani kemi ndaluar 900 lëvizje shoqërore të militarizuara dhe ka hequr dhjetëra mijëra faqe grupe dhe llogari të QAnon-it nga aplikacionet”.

Nga ana tjetër, ai ka pranuar se ende ka nevojë për përmirësim dhe se ekspertët e jashtëm janë duke punuar për të siguruar që politikat e kompanisë të jenë në rrugën e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore