Lajme

ZRRE publikon komentet që ka pranuar rreth tarifave të rrymës


ZRRE

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), të premten e 28 janarit, ka publikuar komentet që ka marrë në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike nga palë të ndryshme të interesit.

Sipas njoftimit të ZRRE-së, deri tani kanë pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO, ndërkohë që ka publikuar edhe linqet e tyre.

Ndërsa, në njoftim shihet se Qeveria e Kosovës nuk ka dërguar asnjë koment deri më tani.

Gjithashtu, ZRRE ka bërë të ditur se është duke pranuar komente nga ana e konsumatorëve të energjisë elektrike, ku komentet e tyre ZRRE, do t’i përmbledhë dhe do t’i publikojë gjatë ditëve në vijim.

ZRRE të mërkuren e 26 janarit kishte shtyrë afatin për tre ditë, përkatësisht deri më 31 janar, për dhënie të komenteve në raportet e publikuara për konsultim publik.

“Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë”.

Kjo shtyrje sipas ZRRE-së ka ndodhur pasi që kanë marrë parasysh interesimin e palëve.

“Afati do të zgjatet deri më 31 janar, në orën 16:00”.

“Palët që dëshirojnë të shprehin komentet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së, ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën [email protected]“,thuhet në njoftim.

Të frustruar me rritjen e çmimit të rrymës dhe qasjen e kryeministrit të Kosovës, qytetarët kanë protestuar në Prishtinë duke brohoritur “Albin mashtruesi”, “Albin rrenci”.

Ndërsa Partia opozitare Socialdemokrate e Kosovës (PSD), ka paralajmëruar protestë për të shtunën e 29 janarit, ku edhe kanë ftuar qytetarët dhe partitë e tjera opozitare që të bashkohen në protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike nga ana e Qeverisë dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Kjo parti ka thënë se janë bërë gati për protestën.

“Ne jemi gati, tash le të bëhet gati Qeveria”.

PSD ka organizuar disa aksione protestuese si tek ZRRE po ashtu edhe te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore