Lajme

ZRRE-ja të premten shqyrton licencën e Elektrosever-it


Bordi i ZRRE-së
Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të premten e 24 qershorit do të shqyrtojë aplikacionin për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për kompanin serbe “Drustvo Elektrosever” në katër komunat Veriore të Kosovës, bazuar në marrëveshjen që është arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, të martën në Bruksel.

Pasi që të premten, zyra në fjalë do të mbajë mbledhjen e nëntë të bordit, ku në pikën e shtatë të rendit të ditës do ta shqyrtojë aplikacionin në fjalë.

Një ditë më parë, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në sektorin e energjisë, apo më saktësisht një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë vitit 2013 dhe 2015 në këtë fushë, ku njëra nga pikat detyronte ZRRE-në që t’ia lëshojë licencën furnizimi Elektroseverit.

I pari që kishte lajmëruar arritjen e një marrëveshjeje ishte i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili kishte plasuar edhe marrëveshjen e arritur që përmbante 9 pika.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes detyron që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës.

Për arritjen e marrëveshjes kishte shkruar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, të cilën e kishte cilësuar si fitore për palën kosovare.

“Më në fund kemi adoptuar implementimin për Marrëveshjen për Energjinë që buron nga 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat Veriore të Kosovës, nën ligjet e Kosovës dhe sistemin rregullator”, ka shkruar ai në Twitter.

Fitoren e kishte shpallur edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, i cili në këtë mes si të rëndësishme e kishte cilësuar faktin, se Elektrosever-it iu është dhënë mundësia që të ofrojë shërbime të distribucionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore