Lajme

ZRRE-ja sërish mbron vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike


Bordi i ZRRE-së.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, sërish e ka mbrojtur vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore për masë të përkohshme.

Fejzullahu, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi u shpreh se tarifat e energjisë me çmim të shtrenjtuar janë në fuqi, pasi s’ka vendim të prerë nga gjykata dhe se ZRRE-ja ka shfrytëzuar të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

“Kemi marrë vendim të drejtë dhe jemi duke shfrytëzuar të drejtën e ankimimit. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë, cilido vendim që të jetë nga Gjykata e Apelit ne do të respektojmë”, deklaroi Fejzullahu.

Ai para deputetëve ka paraqitur edhe raportin e punës për vitin 2021.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

“Çmimet e importit, sidomos në tetor, nëntor dhe dhjetor janë pesëfishuar. Çmimi mestar për import të energjisë gjatë vitit 2020 ka qenë 51 euro, ndërsa në vitin 2021, 119 euro. Konsumi në Kosovë është duke u rritur, jo për shkak të industrisë, por për shkak të konsumit shtëpiak”, shtoi ai.

Ndër të tjera, ai është pyetur edhe për humbjet e energjisë në veri, për të cilat deklaroi se janë duke bërë përpjekje për përafrim në licencimin e Elektroserverit në veri.

Me 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, merr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh”.

Tutje, ZRRE ka sqaruar edhe tarifat për shpenzimin e energjisë elektrike mbi 800 kWh.

“Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se rreth 20 për qind e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore