Kosova

ZRRE-ja i kundërpërgjigjet Avokatit të Popullit: Ne kemi mandat për aprovimin e tarifave të energjisë


Ilustrim

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike i ka reaguar Avokatit të Popullit lidhur me opinionin për vlerësimin e strukturës së re tarifore kundrejt të drejtave të njeriut, i cili pati vlerësuar si diskriminuese vendosjen e tarifave të reja të energjisë elektrike nga ana e këtij institucioni.

Përmes një komunikate për media, ZRRE-ja ka thënë se duhet pasur parasysh se në kuadër të kompetencave të dhëna në legjislacionin primar dhe sekondar, ZRRE-ja ka mandat për aprovimin e metodologjive tarifore dhe aprovimin të tarifave të energjisë.

Në këtë kontekst ZRRE-ja thotë se në vitin 2021 ka iniciuar procesin e rishikimit të tarifave të energjisë elektrike në harmoni me legjislacioni primar dhe sekondar duke i dhënë mundësinë e komentimit të gjitha palëve të interesit lidhur me propozimin fillestar të ZRRE-së.

“ZRRE pas shqyrtimit të komenteve të palëve të interesit ka paraqitur vlerësimin përfundimtar lidhur me Strukturën Tarifore. Vlen të theksohet se Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka ofruar ndonjë koment gjatë këtij procesi si mundësi e dhënë për të kontribuar në cilësinë e këtij procesi”, thuhet në reagim.

Ndër të tjera, ZRRE-ja thotë se në opinionin e Institucionit të Avokatit të Popullit pretendohet që rivendosja e bllok-tarifës në sistemin elektroenergjetik të Kosovës ka qenë e kuptueshme dhe e mirëpritur nëse do të vendosej për të kursyer energjinë elektrike, por kjo nuk paraqitej në arsyetimin e ZRRE-së.

“Institucioni i Avokatit të Popullit në opinionin e tij, shihet që fare nuk ka analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore, dhe fton Institucionin e Avokatit të Popullit t’i referohet Raportit Konsultativ për Strukturën Tarifore të ZRRE-së, në faqe 19 dhe 20 të raportit, e ku theksohet: ‘Një sistem tarifor me 2 blloqe (i aprovuar nga ZRRE) konsiderohet më i thjeshtë për t’u kuptuar nga konsumatorët, duke përmbushur gjithashtu kriteret e mbulimit të kostos, stimulimin e efiçencës së energjisë dhe ofrimin e sinjaleve të qarta të çmimeve për konsumatorët’”, thuhet në njoftim.

Poashtu, ZRRE-ja ka thënë se është e pa pranueshme se si Institucioni i Avokatit të Popullit vendosë jashtë kontekstit qëndrimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE).

ZRRE rithekson se SKE-ja ka përkrahur parimin e aplikimit të blloqeve duke dhënë komente përmbajtjesore përkrahëse lidhur me strukturën tarifore, duke shtuar se SKE-ja ka rekomanduar rritjen e bllokut nga propozimi fillestar.

“Për më tepër në shkresën e SKE ndër të tjera theksohet: ‘Për ta përmbledhur këtë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mbështet bazën mbi të cilën ZRRE ka propozuar rritjen e tarifave’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore