Lajme

ZPS urdhërohet që deri me 17 dhjetor të dorëzojë dosjen paraprake në rastin e Thaçit e të tjerëve


Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi në Gjykatën Speciale

Gjyqtari paraprak në Dhomat e Specializuara të Kosovës, për rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Nicolas Guillou, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 17 dhjetor të këtij viti të dorëzojë dosjen paraprake për rastin në fjalë.

Vendimi i gjyqtarit paraprak u mor pasi në konferencën e tetë mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur më 29 tetor, prokuroria kishte deklaruar se pasi kanë shqyrtuar burimet që kanë, konfirmojnë se do të jenë në gjendje të dorëzojnë dosjen paraprake në rastin e Hashim Thaçit e të tjerëve dhe materialet që lidhen me të më 17 dhjetor.

Lidhur me këtë deklarim, mbrojtja e të akuzuarve kishte shfaqur pakënaqësitë e tyre.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kohey, kishte deklaruar se gjykata tashmë është lodhur nga këto që dëgjon në mënyrë të vazhdueshme se si ZPS ka burime të kufizuara.

“Prokuroria mori vendim të ngrehte akuza në këtë çështje dhe për kohën se kur tani po thonë se nuk kanë mundësi të kryejnë punën e tyre në kohën e duhur, ndërkohë që katër zotërinj vazhdojnë të qëndrojnë në burg”, tha ai.

Kohey, kishte cilësuar se vonesat për mos paraqitje të dosjeve paraprake dëmtojnë të akuzuarit në këtë rast.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore