Lajme

ZPS kërkon refuzimin e aplikimit të mbrojtjes së Veselit


Kadri Veseli, ish kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou, që të refuzojë aplikimin e mbrojtjes së Kadri Veselit për leje për të apeluar vendimin mbi mocionin për sfidim të juridiksionit mbi bazën e shkeljeve të Kushtetutës.

Kërkesa duhet të refuzohet, pasi e njëjta injoron pjesët relevante dhe nuk rrjedh nga vendimi, po ashtu nuk përmbush kërkesa për leje të ankimit të nenit 45 të Ligjit dhe rregullës 77 të rregullorës, sipas ZPS-së, raporton Betimi për Drejtësi.

Më 9 nëntor, në paraqitet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat, ngjashëm është deklaruar dhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen se si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovës.

Katër krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë që nga koha e konfirmimit të aktakuzës, në nëntorin e vitit 2020.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden edhe në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore