Lajme

ZPS-ja kërkon që Kadri Veselit t’i vazhdohet paraburgimi


Kadri Veseli.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, t’i vazhdohet paraburgimi.

Kërkesa i është drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve tjera.

“Që nga vendimi më i fundit, më 26 shtator 2022, nuk ka pasur ndonjë rrethanë ndryshimi që do të sugjeronte një përcaktim tjetër dhe Veseli nuk bën asnjë parashtresë me argumentin se paraburgimi nuk është më i garantuar”, është theksuar në shkresën e Prokurorisë raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Nga ZPS-ja, është thënë se dosjet shtesë që janë dorëzuar janë kundër tij.

“Mbetet rasti që Veseli është në dijeni për akuzat e rënda kundër tij, për shumicën dërrmuese të provave në bazë të tyre dhe për mundësinë e një dënimi të konsiderueshëm nëse shpallet fajtor. Që nga vendimi i fundit i paraburgimit, shtimi i dëshmitarëve të rinj nga ZPS-ja, zbulimi i dosjeve të mëdha të dokumenteve shtesë në përmbushjen e afatit të 30 shtatorit, si dhe depozitimi i një liste shtesë të Rregullës 102(3), i japin Veselit një pasqyrë të mëtejshme për rastin kundër tij”.

Gjykata Speciale.

Të njëjtit kanë thënë se ndikimi i Veselit mbetet i pazvogëluar që nga vendimi i fundit i paraburgimit.

“Vazhdon të ekzistojë rreziku që Veseli të pengojë procedurat. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjetur më parë se Veseli ka ndërhyrë, përmes një ndërmjetësi, në një çështje që përfshin DHSK-në, dhe vazhdon, në bazë të pozicionit të tij të mëparshëm dhe ndikimit të vazhdueshëm, të jetë në gjendje, p.sh., të ketë akses në informacion ose të marrë mbështetjen e të tjerëve”, thuhet në shkresë.

Më 30 shtator, ZPS-ja kishte dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore