Lajme

Zoran Gjokiq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Kosovë


Serbi Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në Lagjen “Kristal” dhe “Te Soliterat” në Pejë, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ai është dënuar me 12 vjet burgim dhe në dënim do t`i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Sipas gjykatësit Arben Hoti “janë analizuar të gjitha provat veç e veç dhe janë vërtetuar faktet jo kontestuese, se me datën 28-29 mars në vitin 1999 në Pejë kishte ndodhur një aksion i forcave serbe kundrejt popullatës shqiptare me qëllim të dëbimit nga shtëpitë dhe vrasjen e tyre”.

“Gjykata ka analizuar edhe alibinë e të akuzuarit dhe ka arritur deri te përfundimi se një alibi e tillë nuk është vërtetuar”, tha ai.

Ndërkohë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Gjokiq, përgjatë vitit 1999 në Pejë, me disa persona të pa identifikuar deri më tani kanë larguar dhunshëm banorët nga shtëpitë e tyre, madje disa nga ta i kanë vrarë.

“I kanë plaçkitur, i kanë detyruar t`ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre, duke ia marrë edhe arin e familjes, pastaj në oborrin e kësaj shtëpie fillimisht e rrahin përsëri të dëmtuarin Sh., në atë mënyre që e godasin në fytyrë edhe ia thyejnë dhëmbët, ndërsa S., e detyrojnë që të shkojë për të siguruar të holla tjera, ndërkohë e vrasin”, thuhet në aktakuzën kundër Gjokiq.

Gjokiq, sipas organit të akuzës “ishte i veshur me uniformë policore, paramilitare dhe ushtarake iu ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit. Ka aplikuar masa frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile ka kryer vrasje plaçkitje të një, qyteti ose një vendi dhe ka urdhëruar zhvendosjen e popullatës civile”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore