Shqipëria

Zmbrapsja e sulmit kibernetik u bë me ndihmën e FBI-së, thotë Balluku


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, deklaroi se zmbrapsja e sulmit kibernetik u bë me ndihmën e FBI-së amerikane dhe shërbimeve të tjera inteligjente.

Lajmi u bë i ditur gjatë një deklarate pa praninë e mediave e Ballukut me drejtoreshën e AKSHI-t Linda Karçanaj dhe me një përfaqësues të kompanisë “Microsoft”.

Ky ishte komunikimi i parë pas sulmit kibernetik që bllokoi shërbimet publike online.

“Dje, ka patur një takim tjetër të komitetit për mbrojtjen kibernetike. U lanë detyra për të gjithë aktorët e fushës dhe janë marrë vendime për bashkëpunime me Microsoft por edhe FBI që na dha mbështetjen që ditën e parë apo dhe shërbime të tjera inteligjente”, u shpreh fillimisht zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, situata po monitorohet dhe sistemet po rikuperohen për t’iu kthyer normalitetit.

Balluku shtoi se asnjë e dhënë nuk është fshirë ndërsa theksoi se ishin dy lloje sulmesh.

“Ky sulm nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit tonë. Ishin dy lloje sulmesh. Aktiviteti i parë ishte një lloj Ransomware që ka për qëllim marrjen e të dhënave kundrejt një pagese”, sqaroi ministrja.

Kjo, nënvizoi Balluku, bëhet për të larguar vëmendjen nga qëllimi i vërtetë i sulmit për fshirjen e të dhënave.

Në përmbyllje, ajo garantoi se nuk pati humbje të dhënash falë reagimit të shpejtë.

“Janë zbatuar protokollet dhe politikat ndërkombëtare të sigurisë kibernetike. Sistemet u verifikuan një nga një që të ishim të sigurt për çdo element para se të ktheheshin online”, ravijëzoi ministrja shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore