Lajme

Zjarri shkatërrues në Colorado: Banorët rikthehen në shtëpi


Banorët e Boulder County në Colorado janë rikthyer në skenat e shkatërruara pasi reshjet e borës kanë ndihmuar në shuarjen e një zjarri të furishëm.

Zjarri përfshiu 6 mijë hektarë në vetëm pak orë, duke shkatërruar qindra shtëpi.

Një banor vendas tha se disa familje në zonë “humbën gjithçka” dhe ishte një “mrekulli e Krishtlindjeve” që askush nuk u vra.

Dhjetëra mijëra njerëz u larguan pasi flakët përfshinë zonën.

Autoritet lokale për agjencinë e lajmeve “Reuters” thanë se zjarri u nxit nga erërat me shpejtësi deri në 105 mph (169 km/h), të cilat shkaktuan kalimin e flakëve mbi autostrada dhe komunitete të tëra.

Ndryshimet klimatike janë duke rritur rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë që ka të ngjarë të nxisë zjarret, dhe ekspertët thonë se këto të fundit në Amerikën e Veriut perëndimore janë rritur me intensitet vitet e fundit.

Tani bora ka filluar të bjerë dhe zyrtarët thonë se nuk presin që zjarri të përbëjë më rrezik.

Njerëzit kanë filluar të kthehen në shtëpi për të vlerësuar dëmet, duke u përballur me skena të shkatërrimit të plotë.

Gjashtë persona janë trajtuar për lëndime, por nuk raportohet për viktima – diçka që zyrtarët lokalë e përshkruan si një “mrekulli”.

Presidenti Joe Biden ka miratuar një projektligj për lehtësimin e fatkeqësive që do të ndihmojë të prekurit.

Rreth 30 mijë banorëve në qytetet Louisville dhe Superior iu kërkua të lënë shtëpitë e tyre, të enjten.

Colorado ka përjetuar thatësira ekstreme vitet e fundit. Ndryshimi i klimës rriti rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë që ka nxitur zjarret.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore