Lajme

Zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Prokuroria nis hetimet


Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka nisur hetimet në lidhje me zjarrin që u shkaktua të shtunën në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, se vendit të ngjarjes iu kanë përgjigjur të gjitha njësitë relevante, përfshirë ekipin e zjarrfikësve, Policinë, ekspertët e zjarrit, Prokurori i Shtetit, drejtori i IML-së, si dhe eksperti i elektroteknikës, me ç’rast kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, vitin e kaluar, më 8 dhjetor, në një konferencë për media ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

Ndërsa më 13 mars të këtij viti, Ministria e Drejtësisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se është shkarkuar kryeinspektori në këtë ministri, Ylber Topalli.

“Pas një sërë gjetjesh faktike që dëshmojnë shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet”, thuhet në njoftim.

Sipas MD-së, Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit.

Po ashtu, me vendim të ministres Haxhiu, ishin pezulluar nga puna 4 zyrtarë të Institutit të mjekësisë Ligjore. Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Nardi Sheqergjiu, toksikolog, Anila Lakna, teknike dhe Ilirjana Shala, kimiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore