Lajme

Zjarri në Colorado: Tre persona raportohen të zhdukur 


Tre persona janë zhdukur dhe autoritetet mendojnë se kanë vdekur, pas një zjarri shkatërrues në shtetin qendror amerikan të Colorado-s.

Zjarri përfshiu disa qytete, duke shkatërruar qindra shtëpi dhe duke detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen.

Sherifi vendas fillimisht kishte thënë se nuk kishte viktima, duke e quajtur atë një “mrekulli”.

Por një zëdhënëse e Boulder County pranoi se ishte bërë një gabim.

“Unë mendoj se sherifi ndoshta nuk është informuar në mënyrë adekuate nga ne”, tha Jennifer Churchill, në komentet e transmetuara nga ‘’Colorado Sun’’. “Ishte një gabim fatkeq. Ne ndihemi keq”.

Nuk janë bërë të ditura detaje për të zhdukurit, por mediat lokale raportuan se njëra prej tyre ishte një grua 91-vjeçare, familja e së cilës tha se u bllokua nga flakët që hynin.

Sherifi i qarkut Boulder Joe Pelle tha se nuk kishte gjasa që ndonjë nga të tre të gjendej i gjallë. Ai shtoi se qarku është vendosur të sjellë qen zbulues të mbetjeve njerëzore për të ndihmuar në kërkimin e viktimave.

Zjarri dogji 6 mijë hektarë në të gjithë Boulder County, duke shkatërruar të paktën 1 mijë shtëpi dhe biznese. Filloi në kushte jashtëzakonisht të thata dhe u vu nën kontroll pjesërisht për shkak të reshjeve të borës.

Më shumë se 10 inç (25 cm) borë ka rënë në zonën e Boulder dhe tani po pengon përpjekjet për të gjetur të zhdukurit.

Imazhet treguan skena të frikshme, me ndërtesa të djegura të varrosura nën dëborë të dendur.

Banorët e goditur nga zjarri po pajtohen me atë që ndodhi, në disa raste duke u kthyer në shtëpi për të parë shkatërrimin e plotë.

Nga ana tjetër autoritetet janë duke hetuar shkakun e zjarrit.

Ndryshimet klimatike rritin rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë që ka të ngjarë të nxisë zjarret, dhe ekspertët thonë se zjarret në Amerikën e Veriut perëndimore janë rritur vitet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore