Lajme

Zjarret në Kaliforni, guvernatori shpall emergjencën


Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për zonën e  Mariposa të shtunën pasi një zjarr shpërtheu pranë parkut kombëtar Yosemite, duke nxitur urdhra evakuimi për mijëra njerëz.

Zjarri, i cili filloi të premten pasdite në jug-perëndim të parkut pranë Midpines në Mariposa County, u rrit në 26.5 km katrorë deri të shtunën në mëngjes, sipas departamentit të pyjeve dhe mbrojtjes nga zjarri në Kaliforni.

Urdhrat e evakuimit u vunë në fuqi të shtunën për më shumë se 6 mijë njerëz që jetojnë në një hapësirë ​​prej disa miljesh në zonën rurale me popullsi të rrallë, tha Daniel Patterson, një zëdhënës për pyllin kombëtar të Sierrës. Energjia elektrike u shkëput në më shumë se 2 mijë shtëpi dhe biznese.

Më shumë se 400 zjarrfikës po luftonin me zjarrin, së bashku me helikopterët, avionë dhe buldozerë, dhe po përballeshin me kushte të vështira që përfshinin mot të nxehtë, lagështi të ulët dhe bimësi të thatë të shkaktuar nga thatësira më e keqe në dekada, tha Patterson.

Zjarri me rritje të shpejtë bëri që Caltrans të urdhërojë mbyllje të shumta rrugësh, duke përfshirë mbylljen e autostradës 140 midis Carstens Road dhe Allred Road, duke bllokuar një nga rrugët kryesore në parkun kombëtar Yosemite.

Deri të shtunën në mëngjes, zjarri kishte shkatërruar 10 struktura rezidenciale dhe tregtare, kishte dëmtuar pesë të tjera dhe po kërcënonte 2 mijë struktura të tjera, njofton CalFire.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore