Lajme

Zjarr në një ndërtesë në Indi, të paktën 27 të vdekur


Të paktën 27 persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë janë plagosur pasi një ndërtesë zyre katërkatëshe në Delhi, kryeqyteti i Indisë, u përfshi nga zjarri.

Më shumë se 70 persona ishin në ndërtesë kur filloi zjarri dhe policia theu xhamat për të shpëtuar njerëzit.

Rreth 20 makina zjarrfikëse u përdorën për të shuar zjarrin pranë stacionit të metrosë Mundka në perëndim të kryeqytetit të Indisë.

Zjarri mendohet se është shkaktuar nga një qark i shkurtër.

Mediat indiane kanë raportuar se deri më tani janë arrestuar dy persona.

Duke shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve, kryeministri Narendra Modi premtoi 200 mijë rupees (monedha indiane) – 2 mijë e 580 dollarë – kompensim për të afërmit që humbën të dashurit e tyre.

Pas shuarjes së zjarrit vazhdoi operacioni i shpëtimit.

“Do të duhet kohë duke pasur parasysh gjerësinë e zonës”, tha zëvendës shefi i zjarrfikësve, e cituar nga “Times of India”.

Shumica e trupave thuhet se u gjetën në katin e dytë të ndërtesës.

Zyrtari lokal Jogi Ram Jain, tha se raportet paraprake sugjeruan se një qark i shkurtër kishte shkaktuar zjarrin dhe se ndërtesa nuk kishte certifikatën e duhur të sigurisë nga zjarri.

“Ne kemi nisur një hetim dhe nëse ndonjë zyrtar komunal zbulohet se ka faj, do të ndërmerren veprime të rrepta”, theksoi zyrtari, raportoi “Hindustan Times”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore