Lajme

Zjarr në kampin e refugjatëve në Greqi, humb jetën i mituri


Një fëmijë ka humbur jetën si pasojë e një zjarri të rënë mbrëmjen e 23 shkurtit në një kamp refugjatësh në Thiva, në veri të Athinës. Lajmin e ka bërë të ditur shërbimi zjarrfikës.

Shërbimet thonë se fëmija nuk po merrte frymë kur mbërritën në kampin e Thiva-s, 54 kilometra nga kryeqyteti grek.

Mësohet se në vendngjarje kanë shkuar tetë zjarrfikës dhe katër makina zjarrfikëse për të fikur dhe për të vënë në kontroll flakët.

Ndërkohë, tragjedia solli një debat të ashpër mes refugjatëve dhe Ministrisë së Emigracionit, pasi të parët deklarojnë se megjithëse telefonuan menjëherë, duke lajmëruar greqisht dhe anglisht, zjarrfikësja erdhi me vonesë.

Ndërkohë që Ministria e Emigracionit thekson se punonjësit e zjarrfikëses, megjithëse ishin aty që në momentet e para, nuk u lejuan të hyjnë në kamp nga refugjatët. Ato arritën të futen vetëm pas ndërhyrjes së policisë.

Sipas raporteve fillestare, policia duhej të ndërhynte kur azilkërkuesit bllokuan hyrjen e ndërtesës që kishte marrë flakë. Akoma nuk dihet se cili ka qenë shkaku i fillimit të zjarrit.

Gjatë dimrit, shumë nga refugjatët blejnë dru për t’u ngrohur. Kjo për shkak të mungesës së ngrohjes së duhur në kampe. Gjë e cila çon në aksidente të tilla.

Aktivistët kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur gjendjen e kampeve gjatë stinës së dimrit, në të gjithë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore