Pajisje

Zinxhiri i restoranteve “Bella Italia” provon shërbimin e robotëve


Teksa mungesat e punonjësve janë në të gjithë sektorin e mikpritjes, pronarët e zinxhirit “Bella Italia” po u drejtohen robotëve për të ofruar shërbimin për klientët.

Big Table Group po teston robotin në restorantin e tij Bella Italia në Centre Parcs Whinfell Forest në Cumbria, në provën e parë të tillë nga një zinxhir i madh restorantesh.

BellaBot, i prodhuar nga kompania kineze Pudu, mund të mbajë deri në 40 kilogramë në katër tabaka dhe të dorëzojë dhe të marrë pjatat nga tavolina me ndihmën e njerëzve që ngarkojnë dhe shkarkojnë.

Eric Guo, shefi ekzekutiv i Spark që shpërndan robotët Pudu në Mbretërinë e Bashkuar, ka treguar se janë 60 të tillë që punojnë në 20 biznese britanike.

Madje, ai pret që të ketë më shumë porosi vitin e ardhshëm.

Shumica janë duke operuar në restorante. Por edhe hotelet, supermarketet apo klubet e bilardove po eksperimentojnë gjithashtu me teknologjinë.

“Është bërë një prirje e dukshme që pronarët e mikpritjes pyesin për shërbimet robotike për të ndihmuar në zgjidhjen e mungesës së stafit të mikpritjes”, ka thënë ai.

Guo ka shtuar po ashtu se robotët kanë ndihmuar bizneset të përfitojnë nga teknologjia e re e shërbimit në mediat sociale kur klientët kapin video dhe i postojnë më pas në TikTok.

Big Table Group, i cili drejton 150 restorante nën markat e tij të ndryshme, ka deklaruar se testi po funksionon në një nga restorantet.

Por nuk ka konfirmuar planet për të zgjeruar këtë projekt.

Eksperimenti vjen pasi dhjetë për qind e vendeve të punës në sektorin e mikpritjes mbeten të paplotësuara, pasi Brexit i kombinuar me pandeminë bëri që shumë punëtorë evropianë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në industrinë e Mbretërisë së Bashkuar, të largohen.

Konkurrenca nga sektorë të tjerë është gjithashtu një faktor.

Mungesat kanë çuar në një inflacion pagash prej 13 për qind në të gjithë industrinë, pasi bizneset përpiqen të tërheqin stafin më të mirë në zonat ku ka mungesa të veçanta.

Shefja operative e Bella Italia, Lisa Gibbons, ka thënë se “jemi gjithmonë të hapur ndaj zgjidhjeve inovative nga të cilat përfitojnë ekipet tona, që përmirësojnë shërbimin dhe përvojën e mysafirëve tanë”.

“Duke pasur robotë inteligjentë që kryejnë detyra të thjeshta, ekipet tona janë në gjendje të fokusohen në atë që duan dhe të ofrojnë një përvojë të mahnitshme”, ka vijuar ajo.

Dhe se është “ende në ditët e para të gjykimit, por mezi presim të shohim ndikimin që do të ketë”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore